Financa e gjeIbër

Banka e Shqipërisë është e përkushtuar në vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve klimatike, përfshirë dhe ndryshimet strukturore, që mund të ndikojnë sistemin financiar dhe ekonominë në përgjithësi, duke sfiduar kryerjen e misioneve tona themelore, në lidhje me stabilitetin e çmimeve, stabilitetin financiar apo përfshirjen financiare.

Megjithëse ende në fazën e ndërtimit të kapaciteteve dhe eksplorimit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar çështjet e ndryshimeve klimatike dhe për të promovuar financat e gjelbra. Një nismë e rëndësishme është bashkëpunimi ynë me Bankën Botërore për hartimin e një Strategjie të Gjelbër afatmesme, miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në maj 2023.

Kjo strategji, zyrtarisht e titulluar “Menaxhimi dhe Mbikëqyrja e Rreziqeve Financiare të Lidhura me Klimën në Sektorin Financiar për vitet 2023-2025”, përcakton një plan veprimi gjithëpërfshirës, i cili synon identifikimin, monitorimin dhe menaxhimin efikas të rreziqeve të lidhura me klimën, duke siguruar kështu stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit tonë financiar. Ky plan veprimi përfshin një gamë të gjerë përgjegjësish brenda Bankës së Shqipërisë, nga politika monetare, te stabiliteti financiar, te mbikëqyrja bankare, statistikat financiare, kërkimi shkencor dhe deri te operacionet ditore.