EuroGloss

[ A ] [ B ] [ C ] [ D ] [ E ] [ F ] [ G ] [ H ] [ I ] [ J ] [ K ] [ L ] [ M ] [ N ] [ O ] [ P ] [ Q ] [ R ] [ S ] [ T ] [ U ] [ V] [ Z ]

Acquis communautaire nënkupton bazën ligjore të Bashkimit Europian, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Ajo përfshin parimet dhe objektivat politike të traktateve; legjislacionin e përshtatur në zbatim të tyre si dhe jursiprudencën e Gjykatës së drejtësisë ; deklaratat dhe rezolutat e miratuara në kuadrin e Bashkimit Evropian ; aktet e ndryshme të miratuara në fushën e drejtësisë, të çështjeve të brendshme, të politikës së jashtme dhe të sigurisë ; marrëveshjet ndërkombëtare të Komunitetit si dhe marrëveshjet e lidhura midis vetë vendeve anëtare në fushat e veprimtarisë së BE-së.
Pranimi i «acquis communautaire» nga vendet anëtare është parakusht për aderimin e tyre në BE. Kjo gjë nënkupton përshtatjen e legjislacioneve kombëtare me normat e KE-së dhe zbatimin e tyre që në momentin e aderimit.
 
Akti Unik Europian (AUE) u nënshkrua në Luksemburg dhe u ratifikua nga parlamentet e vendeve anëtare në 1986. Ai hyri në fuqi në 1 korrik 1987. Rëndësia e këtij dokumenti qëndron në faktin se ai preku një sërë çështjesh të rëndësishme: ai dha dinamizëm ngrehinës europiane nëpërmjet krijimit të tregut të brendshëm më 1 janar 1993. Akti Unik pati gjithashtu rëndësi në forcimin e rolit të Parlamentit europian, duke mbushur atë deficit demokratik që ishte vënë re në Komunitet. Veç kësaj, Akti Unik i dha një shtysë të fuqishme aftësisë vendimmarrëse të Këshillit të Ministrave.
Akti Unik Europian ka gjithashtu rëndësi jo vetëm për faktin se amendoi shumë nga dispozitat e Traktatit të Romës, por edhe se institucionalizoi një formë të re të bashkëpunimit midis vendeve në fushën e politikës së jashtme.
 

Banka Evropiane e Investimeve (European Investment Bank): E themeluar nga Traktati i Romës, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni financiar i Komunitetit. Detyra e saj është të kontribuojë në një zhvillim të balancuar të Komunitetit përmes integrimit ekonomik dhe kohezionit social.

Aksionerët e BEI-t janë shtetet anëtarë të BE-së. Banka administrohet nga Bordi i Guvernatorëve, që përbëhet nga 25 ministrat e financave. Kjo bankë ka personalitet juridik dhe është e pavarur nga ana financiare. Ajo siguron financim afatgjatë për projekte, frytshmëria ekonomike, teknike, mjedisore dhe financiare e të cilëve është e garantuar. Mes viteve 1994-1999, transporti, komunikacionet, energjia, uji, arsimi dhe sektorët e trajnimit ishin përfituesit kryesorë të financimeve të BEI-së. Jashtë BE-së, BEI mbështet strategjitë e para-anëtarësimit të vendeve kandidate si dhe menaxhon anën financiare të marrëveshjeve të arritura bazuar në politikat e ndihmës për zhvillim dhe bashkëpunim.

Bashkëpunimi policor dhe gjyqësor në çështjet kriminale (Police and judicial cooperation in criminal matters): Disa nga fushat e mbuluara më parë nga Titulli VI i Traktatit të Bashkimit Evropian (Drejtësia dhe çështjet e brendshme ose "shtylla e tretë") u transferuan në shtyllën e parë nëpërmjet Traktatit të Amsterdamit. Për ato që mbetën në shtyllën e tretë, sidomos bashkëpunimi policor dhe gjyqësor në çështjet kriminale (penale), Traktati i Amsterdamit vendosi një nga objektivat më të rëndësishëm të BE-së: krijimin e një zone të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë.

Synimi është sigurimi i një mbrojtjeje të lartë për publikun, duke parandaluar dhe luftuar dukuritë e racizmit dhe ksenofobisë dhe krimet e tjera ndërkufitare si: terrorizmi, trafikimi i qënieve njerëzore dhe krimet kundër fëmijëve, trafikimi i drogës dhe armëve si dhe korrupsioni dhe mashtrimi.

Kjo do të arrihet me një bashkëpunim më të madh midis autoriteteve policore dhe doganore nëpërmjet Zyrës Evropiane të Policisë (Europol), me një bashkëpunim më të madh të autoriteteve gjyqësore nëpërmjet Njësisë Evropiane të Bashkëpunimit Gjyqësor të themeluar nga Traktati i Nicës, si dhe me anë të përafrimit të rregullave mbi çështjet penale, atje ku është i nevojshëm.

Megjithëse Traktatet e Amsterdamit dhe Nicës e zgjeruan përdorimin e votimit të shumicës së cilësuar, vendimet që i përkasin çështjeve që mbeten në shtyllën e tretë merren me unanimitet. Në të njëjtën kohë, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Amsterdamit, tërësia e rregullaveMarrëveshjes së Shengenit rreth bashkëpunimit policor dhe gjyqësor, e cila është pranuar nga pjesa më e madhe e vendeve anëtare, u bë pjesë e kornizës komunitare.

Banka Qendrore Evropiane (ECB) është themeluar si një subjekt ligjor i pavarur me 1 qershor 1998 me seli në Frankfurt am Main, Gjermani. Ajo u krijua me qëllim që të garantonte se detyrat dhe funksionet e Eurosistemit dhe të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore zbatoheshin ose nëpërmjet vetë Bankës Qendrore Evropiane ose nëpërmjet bankave qendrore kombëtare.

Bashkëpunimi Politik Evropian (European Political Cooperation): Bashkëpunimi Politik Evropian filloi me anë të takimeve jozyrtare në vitet '70 dhe u formalizua me Aktin Unik Evropian në vitin 1987. Ky bashkëpunim nënkuptonte konsultimet mes shteteve anëtare për çështjet e politikës së jashtme. Shtetet anëtarë merrnin në konsideratë mendimet e Parlamentit Evropian dhe mbanin pozicione të përbashkëta në institucionet ndërkombëtare kur kjo ishte e mundur. Bashkëpunimi Politik Evropian u zëvendësua me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.

Bashkimi Ekonomik dhe Monetar (EMU): Traktati që institucionalizoi krijimin e Komunitetit Europian parashikon tre faza për procesin e ngritjes së Bashkimit Ekonomik e Monetar. Faza e parë e BEM e cila filloi në korrik 1990 dhe përfundoi në 31 dhjetor 1993, u karakterizua kryesisht heqja e barrierave të brendshme me qëllim lëvizjen e lirë të kapitaleve brenda Bashkimit Europian. Faza e dyë filloi në 1 janar 1994. Pikat më të rëndësishmë të kësaj faze midis të tjerash janë krijimi i Institutit Monetar Europian (IME), ndalimi i financimeve të sektorit publik nga bankat qendrore si dhe shmangia e deficiteve të thella në financat publike. Faza e tretë nisi në 1 janar 1999 me tranferimin e kompetencave monetare tek Eurosistemi, me kurset e parevokueshme të këmbimit midis monedhave të vendeve pjesëmarrëse në BE dhe futjen e Euros.

Bashkimi Evropian (European Union) u themelua në vitin 1992 nga Traktati i Maastrichtit si një organizatë e bazuar në paraardhësin e tij, Komunitetin Evropian. Bashkimi Evropian përbëhet nga tre shtylla kryesore. Shtylla e parë, e quajtur edhe Komuniteti Evropian, përfshin të gjitha politikat dhe fushat në të cilat Komuniteti Evropian gëzon kompetenca. Vendimmarrja në këto fusha bëhet sipas praktikës komunitare. Ndërsa dy shtyllat e tjera, Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë (shtylla e dytë) dhe Çështjet e Brendshme dhe Drejtësia (shtylla e tretë) janë kryesisht forume të bashkëpunimit të thelluar ndër-qeveritar. Megjithatë, me traktatin e Amsterdamit disa nga fushat e gjendura në shtyllën e tretë janë transferuar në shtyllën e parë.

Coreper-i (Coreper): Ky është akronimi në frëngjisht për Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm. Ky institucion përbëhet nga Përfaqësuesit e Përhershëm (Ambasadorët) të shteteve anëtarë dhe është përgjegjës për ndihmën që i duhet dhënë Këshillit të BE-së për kryerjen e punës gjatë fazës paraprake. Ai është një institucion mjaft i rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes pasi është në të njëjtën kohë një forum për bisedime (mes Përfaqësuesve të Përhershëm dhe midis tyre dhe shteteve përkatës) dhe një organ që ushtron kontroll politik duke formuluar direktiva të përgjithshme dhe duke kontrolluar punën e grupeve të punës. Coreper-i vetë është i ndarë në dy pjesë: Coreper 1, i përbërë nga Zëvendës-Përfaqësuesit e Përhershëm, dhe Coreper 2, i përbërë nga Përfaqësuesit e Përhershëm.

Drejtësia dhe Çështjet e Brendshme (Justice and Home Affairs): Bashkëpunimi në çështjet e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme u institucionalizua me anë të Titullit VI të Traktatit të Maastricht-it. Synimi i këtij bashkëpunimi ishte zbatimi i vërtetë në praktikë i parimit të lëvizjes së lire së personave. Ky bashkëpunim përfshinte këto fusha: politikat e azilit;rregullat e kalimit të kufijve të jashtëm të shteteve anëtarë; politikat e emigracionit; lufta kundër drogës; lufta kundër korrupsionit ndërkombëtar; bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile dhe penale; bashkëpunimi mes doganave dhe bashkëpunimi policor.

Traktati i Amsterdamit vendosi si një objektiv të tijin krijimin e një zone të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Disa fusha u bënë e pjesë e kornizës komunitare. "Zona e Shengenit" e cila u krijua jashtë kornizës ligjore komunitare nga disa vende anëtare që dëshironin të ecnin edhe më tej me lëvizjen e personave, u bë pjesë e traktateve evropiane.
Traktati i Nicës e zgjeron përdorimin e votimit të shumicës së cilësuar në ato çështje të cilat janë transferuar në shtyllën e parë, ndërsa vendimet e shtyllës së tretë vazhdojnë të merren me unanimitet.

e-Europe është inciativa e cila u lancua nga Komisioni Evropian në dhjetor të vitit 1999 dhe u aprovua nga Këshilli evropian i Lisbonës në mars të vitit 2000. Komunikata që u adoptua menjëherë pas aprovimit u quajt "eEurope - Shoqëri e informacionit për të gjithë" dhe është pjesë e asaj që njihet si strategjia e Lisbonës. Kjo strategji ka si qëllim që Bashkimi Evropian të bëhet ekonomia e njohurive më konkuruese dhe më dinamike në botë Brenda vitit 2010. Objektivat kryesore të kësaj inisiative janë:
• Të sjellë cdo qytetar, shtëpi dhe shkollë, cdo biznes dhe administratë në epokën e dixhitalit dhe të komunikimit online;
• Të krijojë një Evropë të edukuar me konceptin e dixhitalit, të mbështetur nga një kulturë e hapur për të rejat e teknologjisë së informacionit;
• Të sigurojë që shoqëria e informacionit është shoqërisht gjithëpërfshirëse.

Energjia (Energy): Synimi i politikës energjitike të BE-së është sigurimi i një furnizimi të sigurtë dhe të lirë të energjisë e cila nuk paraqet rreziqe për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisit. Traktatet nuk kanë krijuar një bazë ligjore specifike për politikën komunitare të energjisë, parimet themelorë të së cilës gjenden në Traktatin e Euratomit dhe një numër dispozitash të përfshira në kapitujt e "tregut të brendshëm" dhe "mjedis"-it.
BE ka ndërmarrë masa për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji duke parë nivelin e vartësisë në importet e naftës nga rajone politikisht të paqëndrueshme, si dhe ka ripërcaktuar përparësitë në lidhje me energjinë nukleare duke pasur në qendër të vëmendjes rreziqet e aksidenteve dhe derdhjes së mbeturinave si dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Europoli (Europol): Në Traktatin e Amsterdamit, Europoli (Zyra e Policisë Evropiane) përkufizohet si një mjet që ofron një siguri të lartë për të gjithë qytetarët në një zonë të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë.
Konventa e themelimit të Europolit u firmos në korrik 1995 dhe hyri në fuqi më 1 tetor 1998. Ajo mbulonte fusha si trafiku i drogës, rrjetet e emigracionit të paligjshëm, trafiku i mjeteve të vjedhura, trafiku i qenieve njerëzore, fallsifikimi i parave dhe mjeteve të tjera të pagesës, trafiku i lëndëve radioaktive dhe nukleare, terrorizmi dhe pastrimi i parave.
Traktati i Amsterdamit i shtoi kompetenca të reja Europolit si: bashkërendimi dhe zbatimi i hetimeve specifike të drejtuar nga autoritetet e shteteve anëtarë, zhvillimi i ekspertizës së specializuar për të ndihmuar autoritete vendore në luftën kundër krimit dhe lidhja e marrëdhënieve me prokurorë dhe hetues të specializuar në luftën kundër krimit. Në dhjetor të vitit 2001, fusha e veprimit e Europolit u shtri në të gjitha fushat e lidhura me krimin ndërkombëtar.

Eurosistemi përfshin Bankën Qendrore Evropiane dhe bankat qendrore kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat kanë adoptuar monedhën euro në fazën e tretë të krijimit të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar.

Fondet Strukturore dhe Fondi i Kohezionit (Structural Funds and Cohesion Fund): Fondet Strukturore dhe Fondi i Kohezionit janë pjesë e politikës strukturore komunitare, e cila synon pakësimin e dallimeve në zhvillimin ekonomik mes krahinave dhe shteteve anëtarë të BE-së. Prandaj fondet i shërbejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë objektivit të kohezionit ekonomik dhe social.

Buxheti i akorduar për politikë rajonale të Komunitetit për periudhën 2000-06 është 213 miliard Euro, që përfshin 195 miliard për Fondet Strukturore dhe 18 miliard Euro për Fondin e Kohezionit. Kjo shumë përfaqëson 35% të buxhetit komunitar dhe përbën zërin e dytë më të madh në shpenzimet komunitare. Fondet strukturore janë: Fondi Evropian i Zhvillimit Rajonal, Fondi Social Evropian, Fondi Evropian i Drejtimit dhe Garancisë Bujqësore dhe Instrumenti Finaciar i Drejtimit të Peshkimit. Një Fond i Kohezionit u krijua në 1993 për të forcuar edhe më tej politikën strukturore. Ky fond është menduar për ato shtete me një GDP për frymë më të vogël se 90% e mesatares komunitare, pra për Spanjën, Portugalinë, Greqinë dhe Irlandën. Qëllimi i Fondit të Kohezionit është fianancimi i projekteve të mjedisit dhe infrastrukturës së transportit.

Gjykata e Bashkimit Evropian (Court of Justice of the European Union): Gjykata e BE-së përbëhet nga aq gjykatës sa janë edhe vende anëtarë. Aktualisht ajo përbëhet nga 25 gjyqtarë të ndihmuar nga 8 avokatë të përgjithshëm, të zgjedhur me marrëveshje nga shtetet anëtarë. Ajo ka dy funksione kryesore:
- të kontrollojë nëse mjetet e institucioneve evropiane dhe të qeverive janë në përputhje me Traktatet;
- të shprehet, me kërkesë të një gjykate kombëtare, rreth interpretimit ose vlefshmërisë së dispozitave të gjendura në të drejtën komunitare.
Gjykata Evropiane ndihmohet në veprimtarinë e vet edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë e Komuniteteve Evropiane, e cila është themeluar në vitin 1989.

Gjykata Evropiane e Auditorëve (European Court of Auditors): Gjykata Evropiane e Auditorëve, me qendër në Luksemburg, përbëhet nga njëzet e pesë anëtarë të emëruar për një periudhë 6 vjeçare me vendim unanim të Këshillit të BE-së pas këshillimit me Parlamentin Evropian. Ai kontrollon ligjshmërinë dhe rregullsinë e shpenzimeve dhe të të ardhurave të BE-së.

Me Traktatin e Amsterdamit, Gjykata e Auditorëve gjithashtu ka të drejtë t'i raportojë Parlamentit Evropian dhe Këshillit rreth çdo parregullsie si dhe kompetencat e tij të auditimit janë shtrirë edhe në fondet komunitare të menaxhuara nga organet e jashtme dhe nga Banka Evropiane e Investimeve. Ndërsa Traktati i Nicës specifikon që Gjykata e Auditorëve do të përbëhet nga një anëtar për çdo shtet anëtar.

Instituti Monetar Evropian (EMI) Instituti Monetar Evropian ishte një institucion i përkohshëm, i themeluar në fillim të fazës së dytë të Bashkimit Monetar Evropian (më 1 janar 1994). EMI nuk ishte përgjegjës për drejtimin e politikës monetare në Bashkimin Evropian. Detyrat kryesore të EMI-t lidheshin me forcimin e bashkëpunimit midis bankave qendrore dhe koordinimin e politikës monetare si edhe me përgatitjen e fazës së tretë të Bashkimit Monetar Evropian. EMI pushoi së ekzistuari në 1 qershor 1998.

Këshilli i Bashkimit Evropian (Council of the European Union): Këshilli i BE-së (Këshilli, nganjëherë quhet edhe Këshilli i Ministrave) është institucioni më i rëndësishëm i vendimmarrjes në BE. Ai përbëhet nga ministrat e 25 shteteve anëtarë të cilët janë përgjëgjës për fushat të cilat gjenden në axhendë: punët e jashtme, bujqësia, industria, transporti e kështu me rradhë. Pavarësisht nga prania e kaq shume fushave të veprimit, Këshilli është një institucion i vetëm.

Çdo shtet anëtar drejton punimet për një periudhë gjashtë-mujore. Vendimet përgatiten nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtarë (Coreper) i cili nga ana e tij ndihmohet nga grupet e punës të zyrtarëve të administrates së lartë të vendeve përkatëse. Pranë Këshillit ndodhet edhe Sekretaria e Përgjithshme. Vendimet e Këshillit që janë të lidhura me shtyllën e parë pranohen mbi bazën e propozimeve të Komisionit.

Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Amsterdamit në maj 1999, Sekretari i Përgjithshëm vepron në të njëjtën kohë edhe si Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Ai ndihmohet edhe nga Zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm i cili është përgjegjës për veprimtarinë e përditshme të Sekretariatit të përgjithshëm.

Këshilli Evropian (European Council): Ky term përdoret për të treguar mbledhjet e rregullta të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të shteteve anëtarë të BE-së. Ai u themelua me një komunikatë të shpallur në samitin e Parisit të dhjetorit 1974 dhe për herë të parë u mblodh në vitin 1975. Ky Këshill fitoi një njohje ligjore me Aktin Unik Evropian, kurse statusin zyrtar e fitoi me Traktatin e Bashkimit Evropian. Këshilli mblidhet të paktën dy herë në vit dhe Presidenti i Komisionit Evropian merr pjesë si anëtar i rregullt. Detyrat e tij janë dhënia e shtytjes të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të BE-së dhe përcaktimi i direktivave të përgjithshme në lidhje me politikat e ndryshme.

Komisioni Evropian (European Commission): Komisioni Evropian është një organ me kompetenca të marrjes së nismave, zbatimit, menaxhimit dhe kontrollit. Ai është roja i Traktateve dhe mishërimi i interesave të Komunitetit. Aktualisht përbëhet nga 30 komisionerë (nga dy nga Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar dhe nga një për çdo vend tjetër, duke përfshirë edhe një president e dy zëvendës-presidentë. Ata emërohen me votim të shumicës së cilësuar për një periudhë pesë-vjeçare nga Këshilli. Ky vendim duhet të miratohet edhe nga Parlamenti Evropian, të cilit Komisioni i përgjigjet. Komisionerët ndihmohen në punën e tyre nga drejtoritë e përgjithshme dhe departamentet e specializuar stafi i të cilëve gjendet kryesisht në Bruksel dhe Luksemburg.

Komisioni Evropian Ekonomiko-Social (European Economic and Social Committee):
Komiteti Evropian Ekonomiko-Social (KEES) u krijua në vitin 1957 me qëllim përfaqësimin e interesave të grupimeve të ndryshme ekonomike dhe sociale. Ky organ përbëhet nga 222 anëtarë të ndarë në tre kategori: punëdhënës, punëtorë dhe përfaqësues të tipeve të veçanta të veprimtarive (si për shembull fermerët, zejtarët, bizneset e vogla dhe industria, profesionet, përfaqësuesit e konsumatorëve, shkencëtarët dhe mësuesit, kooperativat, familjet, lëvizjet mjedisore). Anëtarët emërohen me votim unanim nga Këshilli për një periudhë katër-vjeçare dhe mandati i tyre mund të rinovohet.
KEES-it i kërkohen këshillime para pranimit të instrumentave ligjorë që kanë të bëjnë me tregun e brendshëm, arsimin, mbrojtjen e konsumatorit, mjedisin, zhvillimin rajonal dhe çështjet sociale. Gjithashtu, ai mund të lëshojë opinione me nismën e vet. Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Amsterdamit, KEES-it duhet t'i kërkohet këshillim edhe në disa fusha të tjera si politika e re e punësimit, legjislacioni i ri i çështjeve sociale, shëndeti publik dhe mundësitë e barabarta.

Komiteti Ekonomik dhe Financiar (EFC) organ konsultativ pjesë e Komunitetit Evropian, që është krijuar në fillim të Fazës së Tretë të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar. Anëtarë të Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane kanë të drejtë të emërojnë jo më shumë se dy persona si anëtarë të Komitetit Ekonomik dhe Financiar.

Komiteti Politik dhe i Sigurisë (Political and Security Committee): Komiteti Politik dhe i Sigurisë, i cili zëvendësoi Komitetin Politik, ndjek zhvillimet ndërkombëtare në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, ndihmon në përcaktimin e politikave dhe mbikqyr zbatimin e tyre. Nën autoritetin e Këshillit, ai është përgjegjës për kontrollin politik dhe udhëheqjen strategjike në rast të operacioneve të menaxhimit të krizës. Ky Komitet, i përberë kryesisht nga përfaqësues të vendeve anëtare, përbën bazën e veprimtarive të menaxhimit të krizave.

Komiteti i Rajoneve (Committee of the Regions): Krijuar në vitin 1992 nga Traktati i Maastricht-it, Komiteti i Rajoneve përbëhet nga 222 përfaqësues të autoriteteve vendore dhe rajonale të cilët emërohen nga Këshilli për një periudhë katër vjeçare bazuar në propozimet unanime që vijnë nga shtetet anëtarë. Këshilli, Parlamenti dhe Komisioni i drejtohen për këshillim këtij komiteti në fushat që kanë lidhje me interesat vendorë dhe rajonalë siç janë arsimi, rinia, kultura, shëndeti dhe kohezioni ekonomik dhe social. Ai gjithashtu mund të lëshojë opinione me nismën e vet.
Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Amsterdamit, Komitetit duhet t'i drejtohen për këshillim edhe në këto fusha: mjedisi, Fondi Social, përgatitja profesionale, bashkëpunimi ndër-kufitar dhe transporti. Ndërsa Traktati i Nicës nuk e ndryshoi përbërjen dhe numrin e anëtarëve të Komitetit por duke marrë parasysh edhe zgjerimet e ardhshme theksoi se numri i anëtarëve nuk mund të kalojë 350 veta.

Komitologjia (Comitology): Sipas Traktatit themelues të Komunitetit Evropian, Komisioni ka për detyrë të zbatojë legjislacionin në nivel komuniteti. Në praktikë, çdo instrument legjislativ specifikon hapësirën e fuqive zbatuese të cilat i janë lënë Komisionit së bashku me mënyrën se si Komisioni duhet t'i përdorë këto fuqi. Zakonisht, në instrument gjithashtu thuhet që Komisioni do të ndihmohet nga një komitet, në përputhje me një procedure të njohur si "komitologji". Komitetet, të cilat janë forume për diskutim, përbëhen nga përfaqësues të shteteve anëtarë dhe drejtohen nga Komisioni. Ato mundësojnë Komisionin të vendosë dialog me administratat kombëtare para se të pranojë masa zbatimore. Komisioni sigurohet që ata pasqyrojnë sa më shumë të jetë e mundur gjendjen në çdo vend.
Komitetet i bazojnë opinionet e tyre në një draft të masave zbatimore të përgatitur nga Komisioni. Komitetet ndahen në këto kategori:

- komitetet sugjerues: ata i japin opinionet e tyre Komisionit, i cili duhet t'i marrë parasysh në masën më të madhe të mundur. Kjo procedurë përdoret kur çështjet në diskutim nuk janë shumë të ndjeshme nga ana politike.
- komitetet e menaxhimit: kur masat e marra nga Komisioni nuk përputhen me opinionin e komitetit, Komisioni duhet t'ia komunikojë këtë Këshillit, i cili me anë të votimit të shumicës së cilësuar mund të marrë një vendim tjetër. Kjo lidhet sidomos me fusha të tilla si politika e përbashkët bujqësore, peshkimi dhe programet kryesorë komunitarë.
- komitetet rregullatorë: Komisioni mund të marrë masa zbatuese vetëm nëse arrin të marrë miratimin e shteteve anëtarë që mblidhen në komitet. Votimi bëhet me shumicë të cilësuar. Në rast të mungesës së mbështetjes, çështja shkon prapë tek Këshilli i cili voton me shumicë të cilësuar. Sidoqoftë, nëse Këshilli nuk merr një vendim, Komisioni ndërmerr masat zbatimore me kusht që Këshilli të mos kundërshtojë. Kjo procedure përdoret në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së personave, bimëve dhe kafshëve si dhe masa që ndryshojnë dispozita jo-thelbësore të instrumentave ligjorë bazë.

Komuniteti Evropian (European Community): Në fillim Komuniteti Evropian njihej me emrin Komuniteti Ekonomik Evropian (KEE), i krijuar nga Traktati i Romës në vitin 1957. Qëllimi kryesor i këtij institucioni në fillim ishte krijimi i një bashkimi doganor mes vendeve anëtarë mbështetur në katër liritë: liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Me përfundimin e bashkimit doganor në 1968, fokusi u drejtua drejt themelimit të një tregu të vetëm të mirëfilltë duke zhdukur pengesat teknike, fizike dhe administrative. Komuniteti Ekonomik Evropian pa dyshim ishte më i rëndësishmi nga institucionet evropiane dhe në gjuhën e përditshme erdhi duke u thirrur thjesht Komuniteti Evropian. Në Traktatin e Maastricht-it, emri i KEE-së u ndryshua zyrtarisht në Komuniteti Evropian dhe Komuniteti Evropian përbën aktualisht shtyllën e parë të BE-së.

Komunitetet Evropiane (European Communities): Ky term përfshinte tre institucionet mbi-kombëtare (supranacionale) të themeluara në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore: Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut (KEQÇ) themeluar nga Traktati i Parisit në vitin 1951 si dhe Komuniteti Ekonomik Evropian (KEE) dhe Komuniteti Evropian i Energjisë Atomike (KEEA) të themeluar nga Traktatet e Romës të vitit 1957. Këto tre komunitete kishin anëtarësi të njëjtë dhe organe të ngjashme. Në fillim ata kishin të përbashkët Gjykatën dhe Parlamentin ndërsa mbanin Këshillra dhe Komisione të ndryshëm (në rastin e KEQÇ-së, ai quhej Autoriteti i Lartë). Me Traktatin e Shkrirjes së vitit 1967, gjithë këto organe të ndara u shkrinë në një Komision dhe Këshill të vetëm, megjithatë ata vazhduan të kenë personalitete të ndryshëm juridikë.

Komunitizimi (Communitisation): Komunitizim do të thotë transferimi i një fushe, e cila në kornizën institucionale të Komunitetit është rregulluar nga metoda ndër-qeveritare (Shtylla e dytë dhe e tretë) drejt metodës komunitare (shtylla e parë). Metoda komunitare mbështetet në mendimin që interesat e qytetarëve të BE-së mbrohen më mirë nëse institucionet komunitare marrin plotësisht pjesë në procesin e vendimmarrjes. Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Amsterdamit, çështjet që lidheshin me lëvizjen e lire të personave dhe që më parë rregulloheshin nga kapitulli i Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme (shtylla e tretë) u "komunitizuan" dhe iu nënshtruan metodës komunitare (shtylla e parë).

Kriteret e konvertimit janë një grup kriteresh me natyrë ekonomike, të cilat duhen përmbushur nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian përpara se këto të bëhen pjesëmarrëse të Eurozonës. Këto kritere njihen ndryshe me emrin kriteret e Maastricht-it dhe midis të tjerash përfshijnë arritjen e një norme të ulët inflacioni, kurse këmbimi të qëndrueshme, norma interesash të ulëta dhe të qëndrueshme etj.. Këto janë përshkruar në Traktatin për themelimin e Komunitetit Evropian dhe në protokollet bashkëngjitur këtij Traktati.

Lëvizja e lirë e personave (vizat, azili, emigracioni dhe politikat e tjera): Traktati i Amsterdamit i ka shtuar Titullin IV Traktatit të Komunitetit Evropian. Ai mbulon këto fusha: lëvizja e lirë e personave; kontrolli në kufinjtë e jashtëm; azili, emigracioni dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve të vendeve të treta; bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile.

Këto fusha më parë rregulloheshin nga Titulli VI i Traktatit të BE-së (Drejtësia dhe Çështjet e Brendshme), por Traktati i Amstredamit këto fusha i "komunitizoi" dhe i solli në kornizën institucionale dhe ligjore të Komunitetit (shtylla e parë). Sipas kësaj, vetëm Komisioni Evropian do të ketë të drejtën e nismës në këto fusha. Në të njëjtën kohë, Këshilli do të vendosë unanimisht, pasi të jetë këshilluar me Parlamentin Evropian, rreth përdorimit të votimit të shumicës së cilësuar dhe procedurës së vendimmarrjes së përbashkët. Sidoqoftë votimi i shumicës së cilësuar dhe vendimmarrja e përbashkët do të zbatohet drejtpërdrejt (pa vendimin unanim të Këshillit) për dhënien e vizave dhe rregullat rreth vizës uniforme.

Traktati i Nicës e ka shtrirë edhe më tej përdorimin e drejtpërderjtë të votimit të shumicës së cilësuar. Së pari, prej hyrjes në fuqi të Traktatit të Nicës, votimi i shumicës së cilësuar do të përdoret në fushën e azilit dhe refugjatëve (në rast se legjislacioni komunitar është adoptuar) dhe në rastin e bashkëpunimit ne çështjet civile me dimension ndër-kufitar, me përjashtim të së drejtës familjare. Së dyti, që nga 1 maji 2004, votimi i shumicës së cilësuar do përdoret edhe në fushat e lëvizjes së lirë të shtetasve të vendeve jo-anëtare për një periudhë maksimale prej tre muajsh në territorin e vendeve anëtare, emigracionin illegal dhe bashkëpunimin administrativ rreth lëvizjes së lirë të personave.

Në bazë të Traktatit të Amsterdamit, Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk marrin pjesë në fushat e rregulluara nga Titulli IV i Traktatit të Komunitetit Evropian, ndërsa Danimarka merr pjesë vetëm në fushën e vizave.

Marrëveshja e Shengenit parashikon krijimin e një rrjeti informatik midis shteteve, me qëllim bashkëpunimin e ngushtë mes forcave të sigurimit të shteteve të ndryshme, duke bërë kështu të mundur eliminimin e kontrolleve kufitare. Traktati i Shengenit është një marrëveshje paralele me jetën e Bashkimit Europian dhe jo pjesë përbërëse e tij, pasi ai nuk është nënshkruar nga Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda. Me marrëveshjen e Shengenit u shënua një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kufijve të jashtëm të Komunitetit dhe eliminimit të kufijve të brendshëm. Emri i marrëveshjes rrjedh nga emri i një qyteze luksemburgase, në të cilën ajo u nënshkrua.

Mjedisi (Environment): Qëllimi i politikës komunitare të mjedisit është ruajtja, mbrojtja dhe rritja e cilësisë së mjedisit dhe mbrojtja e shëndetit të njerëzve. Ajo gjithashtu synon një shfrytëzim të kujdesshëm dhe të zgjuar të burimeve tokësore. Në të njëjtën kohë, kjo politikë kërkon të promovojë masa në nivelin ndërkombëtar për t'u marrë me problemet botërore të mjedisit.
Traktati i Amsterdamit ka shtuar parimin e "mjedisit të qëndrueshëm" si një nga objektivat e BE-së, kurse kërkesave për mbrojtjen e mjedisit i është dhënë më shumë peshë në politika të tjera komunitare, sidomos në kontekstin e tregut të brendshëm.
Politika mjedisore është e bazuar në parimet e kryerjes së veprimeve parandaluese, zhdukjes së problemeve mjedisore që në burim dhe pagesës nga ana e ndotësit.

Ombudsman-i Evropian (European Ombudsman): Ombudsmani Evropian emërohet nga Parlamenti Evropian pas çdo zgjedhjeje dhe ka mandat aq sa edhe vetë Parlamenti. Ai gëzon të drejtën të pranojë ankime nga çdo qytetar i BE-së ose nga çdo person fizik ose juridik me qëndrim në një shtet anëtar lidhur me rastet e keqadministrimit të veprimtarive të institucioneve ose organeve komunitare (me përjashtim të Gjykatës së BE-së dhe Gjykatës së Shkallës së parë). Kur Ombudsman-i sheh që ka një rast keqadministrimi, ai lajmëron institucionin përkatës, kryen hetime, kërkon një zgjidhje të problemit dhe nëse e sheh të nevojshme dërgon rekomandime, të cilave institucioni duhet t'i përgjigjet brenda tre muajve në formën e një raporti të detajuar.

Organizata për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik (OECD), me seli në Paris, u themelua më 1961 si pasardhëse e organizatës për bashkëpunimin ekonomik evropian (OEEC). Ajo përbëhet nga 29 vende (sipas statistikave të vitit 2001) dhe funksioni kryesor i saj është t'u sigurojë shteteve një ambient për diskutimin, zhvillimin dhe perfeksionimin e politikave ekonomike e sociale.

Parlamenti Evropian (European Parliament): Parlamenti Evropian është një kuvend që përfaqëson 370 milionë qytetarët e BE-së. Që nga viti 1979 anëtarët e tij zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë nga populli. Numri i përfaqësuesve nga secili shtet përcaktohet bazuar në madhësinë e popullsisë së një vendi. Funksionet kryesorë të Parlamentit Evropian janë:
- ai vlerëson propozimet e Komisionit dhe merr pjesë në procesin ligjvënës, në disa raste si bashkë-ligjvënës me Këshillin;
- ka të drejtën e kontrollit mbi veprimtaritë e BE-së përmes miratimit të emërimeve në Komision (si dhe të drejtën e rrëzimit të tij) dhe përmes pyetjeve me gojë dhe me shkrim drejtuar Komisionit dhe Këshillit;
- ndan kompetencat buxhetore me Këshillin në votimin e buxhetit vjetor dhe në mbikqyrjen e përdorimit të tij.

Ai gjithashtu emëron një Ombudsman i cili ka të drejtë të mbledhë ankimet nga qytetarët e BE-së lidhur me keqadministrimin e veprimtarive në institucionet dhe organet e Komunitetit. Në të njëjtën kohë, Parlamenti Evropian mund të krijojë komitete hetues, kompetencat e të cilëve nuk kufizohen vetëm me veprimet e institucioneve komunitare, por edhe me veprimet e shteteve anëtarë përsa i përket zbatimit të politikave komunitare.
Traktati i Amsterdamit dhe ai i Nicës rritën rolin e Parlamentit si bashkë-ligjvënës duke zgjeruar fushat në të cilat përdoret procedura e vendimmarrjes së përbashkët me këshillin në miratimin e akteve ligjore. Gjithashtu, Traktati i Nicës i dha Parlamentit të drejtën e hapjes së procedurave gjyqësore në Gjykatën Evropiane.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për PPJS (High Representative for the CFSP): Pozicioni i Përfaqësuesit të lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë u krijua me Traktatin e Amsterdamit. Ky post mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit, detyra e të cilit është dhënia e ndihmës Presidencës së BE-së në çështjet që lidhen me politikën e jashtme dhe të sigurisë. Përfaqësuesi i Lartë synon të mundësojë që BE të shprehë pozicionet e veta në skenën ndërkombëtare me një koherencë më të madhe duke i dhënë atij një fytyrë dhe zë konkret.
Në të njëjtën kohë, Përfaqësuesi i lartë ndihmon në formulimin, përgatitjen dhe zbatimin e vendimeve politike të Këshillit. Ai ose ajo mund të marrë pjesë në bisedime me palët e treta si përfaqësues i Këshillit, në rast se kërkohet nga Presidenca.

Politika Evropiane e Sigurisë dhe e Mbrojtjes (European Security and Defense Policy): Politika Evropiane e Sigurisë dhe Mbrojtjes (PESM) përfshin parashikimin e një politike të përbashkët të mbrojtjes e cila me kohën mund të shpjerë në një mbrojte të përbashkët. E themeluar më 1999, PESM-i synon të lejojë BE-në të ketë kapacitetet e veta civile dhe ushtarake për menaxhimin e krizave dhe parandalimin e konflikteve në nivel ndërkombëtar.

PESM-i, i cili nuk përfshin krijimin e një ushtrie evropiane, po zhvillohet në një mënyrë të përputhshme dhe të bashkërenduar me NATO-n. Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Amsterdamit detyra të reja i janë ngarkuar BE-së. Këto janë operacionet humanitare dhe të shpëtimit, operacionet paqëruajtëse dhe përdorimi i forcave luftarake në menaxhimin e krizave, përfshirë operacionet e vendosjes së paqes (të njohura edhe si "detyrat e Petersberg-ut"). PESM-i gjithashtu ka edhe një përbërës të parandalimit të konflikteve. Këshilli Evropian i Helsinkut vendosi një objektiv që ka të bëjë me aftësinë e BE-së për të mobilizuar deri në 60.000 ushtarë brenda 60 ditësh për një periudhë të paktën një vjeçare.

Politika e Përbashkët Bujqësore (Common Agricultural Policy): Politika e Përbashkët Bujqësore (PPB) është një çështje ekskluzivisht brenda kompetencave komunitare. Qëllimi i kësaj politike është sigurimi i çmimeve të arsyeshme për konsumatorët evropianë dhe e të ardhurave të drejta për fermerët, kryesisht duke themeluar organizata të tregut të përbashkët bujqësor dhe duke aplikuar parimet e çmimeve të vetme, solidaritetit financiar dhe preferencave komunitare. Politika e Përbashkët Bujqësore është një nga politikat më të rëndësishme komunitare pasi thith 45% të buxhetit komunitar. Vendimet e lidhura me politikën komunitare merren me shumicë të cilësuar në Këshill pas këshillimit me Parlamentin Evropian.

Që në krijimin e saj, PPB-ja arriti ta bëjë Komunitetin Evropian të vetëmjaftueshëm branda një periudhe mjaft të shkurtër. Sidoqoftë, me kalimin e kohës kjo politikë u bë vazhdimisht më e kushtueshme pasi çmimet evropiane ishin shume të larta në krahasim me ato botërore. Ndryshimet e bëra në vitin 1992 hoqën çmimet e garantuara bujqësore dhe i zëvendësuan ato me pagesa kompensuese për prodhimin. I detyruar nga zgjerimi i vitit 2004, Komisioni Evropian riforcoi ndryshimet e bëra duke e vënë tashmë theksin mbi sigurinë e ushqimeve, objektivave mjedisorë dhe bujqësisë së qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, synohet edhe rritja e konkurueshmërisë së prodhimeve bujqësore evropiane, thjeshtëzimi i legjislacionit bujqësor dhe stabilizimi i shpenzimeve bujqësore.

Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë (Common Foreign and Security Policy): Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë (PPJS) u krijua nëpërmjet Titullit V të Traktatit të Bashkimit Evropian. Ajo zëvendësoi Bashkëpunimin Politik Evropian dhe në të njëjtën kohë parashikon krijimin e një politike të përbashkët të mbrojtjes, e cila me kohën mund të shpjerë në mbrojtjen e përbashkët.
PPJS përbën shtyllën e dytë të BE-së dhe objektivat e saj mund të realizohen nëpërmjet instrumentave ligjorë specifikë (veprimi i përbashkët, pozicioni i përbashkët) të cilët duhet të pranohen në mënyrë unanime nga Këshilli. Që me hyrjen në fuqi të Traktatit të Amstredamit, PPJS ka në dizpozicion edhe një instrument tjetër, strategjinë e përbashkët. Traktati i Amsterdamit parashikon gjithashtu përdorimin e votimit të shumicës së cilësuar në disa rrethana të veçanta. Traktati i Nicës, nga ana tjetër, solli mundësinë e nje bashkëpunimi më të madh në fushën e PPJS-së për zbatimin e pozicioneve dhe aksioneve të përbashkëta. Ky bashkëpunim më i madh nuk mund të përdoret në çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.

Politika e Përbashkët e Transportit (Common Transport Policy): Qëllimi i Politikës së Përbashkët të Transportit është vendosja e rregullave të përbashkëta të aplikueshme në transportin ndërkombëtar me destinacion për në ose nga shtetet anëtarë ose në atë që kalon permes të paktën njërit prej shteteve anëtarë. Kjo politikë gjithashtu synon të vendosë rregullat e lidhura me operimin e shërbimeve të transportuesve nga jo-rezidentët brenda territorit të Komunitetit si dhe të rrisë sigurinë e transportit.

Politika e Përbashkët Tregtare (Common Commercial Policy): Komuniteti Evropian ka përgjegjësi dhe kompetencë ekskluzive mbi politikën e përbashkët tregtare. Në bazë të kësaj politike, një bashkim doganor është themeluar mes shteteve anëtarë me rregulla të njëjta lidhur me ndryshimet në tarifa, përfundimin e marrëveshjeve të tarifave dhe tregtise me shtete jo-anëtarë, politika e eksporteve dhe importeve, etj. Vendimet merren me shumicë të cilësuar në Këshill.
Traktati i Amsterdamit mundësoi shtrirjen e politikës së përbashkët tregtare për të mbuluar edhe bisedimet ndërkombëtare dhe marrëveshjet rreth shërbimeve dhe pronësisë intelektuale. Kjo bëhej pasi të ishte votuar unanimisht në Këshill, ndërsa sipas Traktatit të Nicës, marrëveshje të tilla mund të kryhen me shumicë të cilësuar. Sidoqoftë, ka ende disa kufizime në ato zona ku kompetencat ndahen mes Komunitetit dhe shteteve anëtarë. Këto përjashtime përfshijnë tregtinë e shërbimeve kulturore dhe audiovizuale dhe tregtinë e shërbimeve të arsimit.

Politika Sociale (Social Policy): Marrëveshja e Politikës Sociale, e nënshkruar nga 11 vende anëtarë iu shtua Traktatit të KE-së nëpërmjet Traktatit të Amstredamit duke i dhëne fund një situate komplekse. Nga viti 1993 deri në 1999 kishte dy baza ligjore të lidhura me politikën sociale: Traktati i Komunitetit Evropian dhe një marrëveshje e veçantë në të cilën Mbretëria e Bashkuar nuk kishte marrë pjesë.

Synimet e kësaj politkë janë të bazuara në Kartën Sociale Evropiane të vitit 1961 dhe Kartës Komunitare të të Drejtave Themelore Sociale për Punëtorët. Këto objektiva ishin përfshirë më parë edhe në Marrëveshjen e Politikës Sociale dhe përfshijnë promovimin e punësimit, mbrojtjen e përshtatshme sociale, dialogun mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe luftën kundër përjashtimit. Vendimet e lidhura me këtë politikë merren me anë të procedurës së vendimit të përbashkët ose me unanimitet, pasi të jenë konsultuar edhe Parlamenti Evropian, Komiteti Ekonomik dhe Social dhe Komiteti i Rajoneve.

Pozicioni i përbashkët (Common position): Pozicioni i përbashkët në kontekstin e PPJS-së është parashikuar ta bëjë bashkëpunimin mes shteteve anëtarë më të rregult dhe të përmirësojë bashkërendimin e tij. Shtetet anëtarë janë të detyruar t'i mbështesin të gjithë këto pozicione, të cilat pranohen me unanimitet nga Këshilli.

Presidenca e BE-së (Presidency of the Union): Presidenca e BE-së mbahet nga çdo vend anëtar për një periudhë gjashtë mujore. Suksesi me presidencën është një detyrë dhe kontribut që çdo shtet anëtar bën për mirëfunksionimin e institucioneve të Komunitetit. Sidoqoftë formula e rotacionit së Presidencës ka mangësitë e veta prandaj në Projekt-Kushtetutën Evropiane parashikohet krijimi i institucionit të Presidentit të Këshillit të BE-së, i cili do merret me mbarëvajtjen e punëve në institucionet evropiane.

Strategjia e përbashkët (Common strategy): Strategjia e përbashkët është një instrument i ri PPJS-së i cili u soll nga Traktati i Amsterdamit. Strategjitë e përbashkëta përpilohen nga Këshilli Evropian dhe zbatohen në fushat ku shtete anëtarë kanë interesa të përbashkëta. Një strategji e përbashkët parashtron qëllimet dhe kohëzgjatjen si dhe instrumentat e vëna në dizpozicion nga BE dhe shtetet anëtarë. Strategjitë e përbashkëta zbatohen nga Këshilli nëpërmjet pozicioneve dhe aksioneve të përbashkëta. Këshilli mund t'i propozojë stategji të përbashkëta Këshillit Evropian.

Telekomunikacionet (Telecommunications): Me synim përfundimin e tregut të brendshëm, liberalizimi i telekomunikacioneve u shfaq si një përparësi e Komunitetit Evropian më 1987. Në 1988, një direktivë i hapi rrugën liberalizimit të tregjeve të terminaleve të telekomunikacionit. Në fazën e dytë të zhvillimit, një direktovë e pranuar në 1990 liberalizoi shërbimet e telekomunikacioneve përveç telefonisë së zërit. Në 1994, liberalizimi u zgjerua për të përfshirë komunikacionet e satelitit dhe shërbimet e transmetimit dhe në 1996, rrjetet e televizorëve kabllorë dhe komunikacionet lëvizëse. Në të njëjtën kohë, një infrastrukturë e hapur e telekomunikacioneve dhe rrjet shërbimesh u themelua më 1990. Pranimi i rregullave të përbashkëta lejoi harmonizimin e kushteve të hyrjes së operatorëve të rinj në treg. Në 1993, Këshilli i Ministrave vendosi për liberalizimin e plotë të shërbimeve të telefonisë së zërit deri në 1 janar 1998.

Në vitin 1999, Komisioni Evropian filloi me detyrën e rishikimit të kornizës rregullatore evropiane të telekomunikacioneve. Synimi kryesor i kësaj lëvizjeje ishte përmirësimi i aksesit në shoqërinë e informacionit duke arritur një ekuilibër mes rregullimit të sektorit dhe rregullave komunitare të konkurencës.

Tërësia e rregullave të Schengen-it: Marrëveshja dhe konventa (Schengen acquis: Agreement and Convention): Marrëveshja e Schengen-it u nënshkrua më 14 qershor 1985 nga Franca, Gjermania, Belgjika, Hollanda dhe Luksemburgu. Me anë të kësaj marrëveshjeje, këto shtete u angazhuan për të hequr gradualisht kontrollet në kufinjtë e përbashkët dhe për të aplikuar lëvizjen e lirë të të gjithë personave të cilët jane shtetas të vendeve nënshkruese, të vendeve anëtare të BE-së dhe të vendeve të treta. Ndërsa Konventa u nënshkrua po nga këto vende më 19 qersor 1990 por nuk hyri ne fuqi deri me 1995. Kjo konventë parashtron rregullat dhe garancitë e zbatimit të lëvizjes së lire së personave.

Marrëveshja dhe konventa, rregullat e pranuara mbi këtë bazë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë fushë formojnë tërësinë e rregullave të Schengen-it (Schengen acquis). Një protokoll i Traktatit të Amsterdamit rregullon futjen e acquisit të Schengen-it në traktatet e BE-së. Me qëllimin e sigurimit të një baze ligjore, acquisi i Schengenit u nda në dy pjesë: nën shtyllën e parë (Titulli IV i Traktatit të Komunitetit Evropian - Vizat, azili, emigracioni dhe politikat e tjera të lidhura me lëvizjen e lirë të personave) dhe në shtyllën e tretë (Titulli VI i Traktatit të BE-së - Bashkëpunimi gjyqësor dhe policor mbi çështjet penale). Në të njëjtën kohë, kjo bashkëngjitje ligjore e Schengen-it në BE u shoqërua edhe me integrimin e institucioneve pasi Këshilli Ekzekutiv i Schengen-it iu bashkangjit Këshillit të BE-së ndërsa Sekretariati iu bashkangjit Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit.

Protokolli shtesë i Traktatit të Amsterdamit shpreh se acquisi i Schengen-it dhe rregullat e pranuara nga institucionet në bazë të këtij acquisi do të zbatohen në tërësinë e tyre nga të gjitha vendet aplikuese.
Schengen-i është zgjeruar gradualisht, Italia nënshkroi në 1990, Spanja dhe Portugalia në 1991, Greqia në 1992, Austria në 1995 dhe Suedia, Danimarka dhe Finlanda në 1996. islanda dhe Norvegjia janë gjithashtu nënshkrues të konventës.
Edhe pse Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk janë nënshkrues të këtyre marrëveshjeve, sipas protokollit të Traktatit të Amsterdamit, me votimin unanim të gjithe vendeve të tjera anëtare të BE-së në Këshill, ato mund të pranojnë disa ose të gjithë rregullat e Schengen-it, gjë të cilën ato e kanë bërë vetëm në disa fusha të kufizura. Në të njëjtën kohë, megjithëse Danimarka është nënshkruese e Konventës dhe merr pjesë në politikën e vizave, ajo mund të zgjedhë nëse do të aplikojë ndonjë vendim të ri të marrë në bazë të acquisit të Schengen-it.

Traktati i Amsterdamit (Treaty of Amsterdam): Traktati i Amsterdamit është rezultat i konferencës ndërqeveritare që filloi në samitin e Torinos më 29 mars 1996. Ai u pranua në Këshillin Evropian të Amsterdamit më 16 dhe 17 qershor 1997, u firmos nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare dhe hyri në fuqi në 1 maj 1999 pas ratifikimi nga të gjitha vendet anëtare.
Nga pikëpamja ligjore, Traktati ndryshon dispozita të caktuara të Traktatit të BE-së, Traktateve themelues të Komuniteteve Evropiane dhe disa akteve të tjera. Ky traktat nuk zëvendëson traktatet e mëparshme, përkundrazi qëndron në krah të tyre. Ndryshimet kryesore që solli Traktati i Amsterdamit janë transferimi i disa fushave të Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme nga shtylla e tretë tek shtylla e parë, sjellja e parimit të fleksibilitetit, shtimi i fushave ku aplikohet votimi i shumicës së cilësuar në vend të unanimitetit, shtimi i kompetencave ligjvënëse të Parlamentit Evropian, etj.

Traktati i Maastricht-it (Maastricht Treaty): I quajtur ndryshe edhe Traktati i Bashkimit Evropian, ky traktat u nënshkrua më 7 shkurt 1992 dhe hyri në fuqi më 1 nëntor 1993. Traktati i Maastrich-it e ndryshoi emrin e Komunitetit Ekonomik Evropian në thjesht "Komuniteti Evropian" dhe në të njëjtën kohë solli forma të reja të bashkëpunimit ndër-qeveritar mes shteteve anëtare në fushat e politikës së jashtme, sigurisë, drejtësisë dhe çështjeve të brendshme. Duke ia shtuar këtë model bashkëpunimi ndër-qeveritar strukturës ekzistuese komunitare, Traktati i Maastricht-it krijoi një strukturë të re me tre shtylla që kanë si karakter ekonomik ashtu edhe politik. Kjo strukturë e re u quajt Bashkimi Evropian.

Traktati i Nicës (Treaty of Nice): Pranuar në dhjetor 2000, në fund të Këshillit Evropian të Nicës dhe firmosur më 26 shkurt 2001, Traktati i Nicës i dha fund konferencës ndërqeveritare që kishte filluar në shkurt 2000, qëllimi i së cilës ishte rregullimi i punës dhe përbërjes së institucioneve evropiane para ardhjes së anëtarëve të rinj. Pra, ky traktat i hapi rrugë zgjerimit të ardhshëm të BE-së me vende nga Evropa lindore dhe jugore.
Ndryshimet kryesore që ky traktat solli janë: kufizimi i madhësisë dhe përbërjes së Komisionit, shtimi i fushave ku aplikohet votimi i shumicës së cilësuar, një shpërndarje e re e peshës së votave në Këshill dhe bërja më fleksibël e marrëveshjeve të bashkëpunimit të përforcuar. Përveç këtyre katër çështjeve kyç, probleme të tjera institucionale u trajtuan: thjeshtëzimi i traktateve, përkufizimi i fuqive, integrimi i Kartës së të Drejtave Themelore dhe roli i parlamenteve kombëtare. Deklarata mbi të Ardhmen e Bashkimit, e cila iu bashkangjit Traktatit, përcakton hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë për të thelluar reformën institucionale. Pas ratifikimit nga të gjithë shtetet anëtare, Traktati i Nicës hyri në fuqi në 1 janar 2003.

Traktati i Parisit (Treaty of Paris): Emri zyrtar i këtij traktati është Traktati themelues i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (KEQÇ). Ky traktat u nënshkrua më 18 prill 1951 në Paris dhe hyri në fuqi më 23 korrik 1952. Me Traktatin e Shkrirjes, Autoriteti i Lartë dhe Komisioni i KEQÇ-it u shkrinë në një Këshill dhe Komision të Komuniteteve Evropian. Vlefshmëria ligjore e këtij Traktati mbaroi më 23 korrik 2002.

Traktatet e Romës (Treaties of Rome): Traktati themelues i Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike (Euratom) dhe Traktati themelues i Komunitetit Ekonomik Evropian u nënshkruan në Romë më 25 mars 1957 dhe hynë në fuqi më 1 janar 1958. Në gjuhën e përditshme këto traktate u quajtën thjesht "Traktatet e Romës", ndërsa kur përdoret termi "Traktati i Romës" nënkuptohet vetëm Traktati themelues i Komunitetit Ekonomik Evropian.

Trojka (Troïka): Trojka përbëhet nga shteti i cili mban Presidencën e Këshillit, nga shteti që e ka mbajtur gjatë gjashtë muajve të mëparshëm dhe shteti i cili do ta mbajë për gjashtë muajt e ardhshëm. Trojka ndihmohet nga Komisioni dhe përfaqëson BE-në marrëdhëniet e jashtme.
Traktati i Amsterdamit solli një formë të re të Trojkës ku Presidenca shoqërohet nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe nga Komisioni.

Veprimi i përbashkët (Joint action): Ky term, i cili i referohet një instrumenti ligjor të Titullit V të Traktatit të Bashkimit Evropian, nënkupton një aksion të bashkërenduar nga shtetet anëtarë, me anë të cilit burime të çfarëdo lloji (burime njerëzore, dije, financim, pajisje, etj) mobilizohen për arritjen e synimeve të vendosura nga Këshilli mbi bazën e direktivave nga Këshilli Evropian.

Zona e lirisë, sigurisë dhe e drejtësisë (Area of freedom, security and justice): Suksetet e arritura që nga viti 1993 në fushën e çështjeve të brendshme dhe drejtësisë çuan në përfshirjen e disa objektivave më ambiciozë në Traktatin e Amsterdamit. Kështu u vendos për krijimin e një zone të lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, e cila do siguronte një lëvizje të lire të vërtetë të personave dhe përpjekje më të frytshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Fushat e lidhura me çështjet e brendshme dhe drejtësinë rregulloheshin vetëm sipas procedurave ndër-qeveritare të përfshira në Titullin VI të Traktatit të Maastricht-it ("shtylla e tretë") Me hyrjen në fuqi të Traktatit e Amsterdamit, këto fusha janë ndarë në shtyllën e parë dhe të tretë.

Shtylla e parë, në të cilën janë të vlefshme procedurat komunitare, përfshin politikat e azilit, emigrimit, vizave dhe politika të tjera të rregulluara në Titullin IV të Traktatit të komunitetit Evropian. Ndërsa shtylla e tretë, në të cilën janë të vlefshme procedurat ndër-qeveritare, përfshin më pak fusha se më parë që rregullohen në Titullin VI të Traktatit të Maastricht-it.. Këto janë rregulla të lidhura me bashkëpunimin policor, doganor dhe gjyqësor. Në shtyllën e tretë, ende ekzistojnë klauzola sipas së cilave, shtete anëtarë mund të vendosin transferimin e rregullave nga shtylla e tretë në të parën. Megjithëse një gjë e tillë është e komplikuar dhe nuk është përsorur akoma, vetë prania e të tilla rregullave tregon se në të ardhmen të gjitha këto çështje do të rregullohen në kornizën komunitare.