Organizimi

Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Ai është përgjegjës për hartimin e politikës monetare dhe për miratimin e udhëzimeve për zbatimin e saj. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vendos mbi politikat e administrimit në përgjithësi, si dhe përcakton mënyrat ose procedurat për realizimin e veprimtarisë operative të Bankës së Shqipërisë, duke siguruar kështu administrimin e drejtë të institucionit dhe përgjegjshmërinë kundrejt publikut për veprimet, angazhimin dhe rezultatet e saj.

Në mbështetje të nenit 53 të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, "Për Bankën e Shqipërisë", Guvernatori vepron si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Bankës së Shqipërisë, i ngarkuar për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të saj dhe si Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ai përgjigjet përpara Këshillit Mbikëqyrës për zbatimin e vendimeve të miratuara, duke përfshirë zbatimin e politikës monetare, të kreditit dhe të këmbimeve valutore, si dhe për drejtimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen mbi administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë. Në veçanti, i njihen kompetencat për të kryer veprimet e kërkuara ose të gjykuara si të pranueshme prej tij për administrimin ose për operacionet e Bankës së Shqipërisë.