muzeu

Në kuadër të përmirësimit të standardeve infrastrukturore dhe teknologjike, Banka e Shqipërisë, në datën 26 tetor 2012 inauguroi godinën e re të Qendrës së Emisionit të Monedhës.  

Ndërtesa e Qendrës së Emisionit të Monedhës është ndërtuar në frymën e një arkitekture moderne, ku spikasin dy skajet rrethore të saj të cilat simbolizojnë monedhën.  

Kjo qendër karakterizohet nga një nivel i lartë infrastrukture dhe është e pajisur me sisteme teknologjie të përparuara që do të përdoren për përpunimin e parasë.

Duke shfrytëzuar facilitetet e ofruara nga ndërtesa e re, ky proces do të kryhet me sisteme të automatizuar të shpejtësisë së lartë, duke garantuar kontroll të shpejtë të monedhës përsa i përket autenticitetit, gjendjes fizike dhe sigurisë së saj.

Në këtë qendër është duke u ngritur dhe një laborator modern si pjesë e Qendrës Kombëtare të Analizës. Nëpërmjet këtij laboratori, Qendra Kombëtare e Analizës do të mund të kryejë ekspertime profesionale, duke analizuar në detaje karakteristikat dhe elementët teknikë të kartëmonedhave dhe monedhave metalike të dyshuara si të falsifikuara. Laboratori bashkëkohor nuk do të ndihmojë vetëm në forcimin e luftës ndaj falsifikimit dhe rritjen e sigurisë së parasë shqiptare, por njëkohësisht do të plotësojë dhe një angazhim të shtetit shqiptar në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.