Jetëshkrimi

Z. Gent SEJKO

guv e gjoni foto

Nga data 5 shkurt 2015, z. Gent Sejko është Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të saj, i rizgjedhur në këtë pozicion për një mandat të dytë më 24 shkurt 2022.

Z. Sejko është gjithashtu Guvernator i Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe anëtar i Bordit të Guvernatorëve të FMN-së; Guvernatori i Shqipërisë në MIGA (Grupi i Bankës Botërore); anëtar i Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit; bashkëkryetar i Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar Shqiptar.

Me një karrierë të gjatë në bankën qendrore dhe në sektorin bankar, Guvernatori Sejko ka fituar një përvojë të spikatur në fushën makroekonomike, ku ndër të tjera ka trajtuar çështje strategjike dhe praktike të politikave në fushat e: politikës monetare, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, tregjeve ekonomike dhe financiare, kërkimit dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Guvernatori Sejko e ka filluar karrierën bankare në fillim të viteve '90. Ndër vite ai ka mbajtur pozicione të larta, drejtuese dhe konsulente në Bankën e Shqipërisë, në sistemin bankar dhe në shoqëri auditimi ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri.

Para se të emërohej si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, zoti Sejko ka qenë Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Bankës Société Générale Albania.

Gjatë karrieriës së tij, ai i ka mbajtur pozicione të larta ekzekutive dhe ka drejtuar komitete të ndryshme në disa banka tregtare në Shqipëri, si Banka Kombëtare Tregtare, Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Raiffeisen Bank, ku ka mbuluar funksione dhe detyra lidhur me korporatat dhe retail-in, auditimin e brendshëm dhe përputhshmërinë, si dhe leasing.

Z. Sejko përfundoi studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, i diplomuar si ekonomist industrie. Në vitin 1997, kreu studimet pasuniversitare dhe mbrojti diplomën Master në Kontabilitet Ndërkombëtar dhe Menaxhim Financiar (MAcc), nga Universiteti i Glasgow-t, Skoci, me temën: "Roli i bankave dhe privatizimi i bankave në ekonomitë në tranzicion".

Ai është autor i librit: "Banka qendrore dhe politikat e saj në kohën e Covid-19: Sfidat për të ardhmen”, publikuar në vitin 2022, dhe gjithashtu ka mbajtur fjalime dhe leksione të shumta në organizime të ndryshme prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

Z. Sejko zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.