Historik i shkurtër i Bankës

Pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar më 28 Nëntor 1912, një nga kujdeset parësore të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora ishte mëkëmbja e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri, e cila ta zhvillonte veprimtarinë e saj në përputhje me normat e bankave kombëtare të shteteve evropiane. Ismail Qemali e konceptonte Bankën Kombëtare si një institucion financiar, i cili duhej të synonte në radhë të parë zhvillimin ekonomik të vendit, kurse fitimin duhej ta realizonte nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar. Jo më kot, bankën kombëtare ai e ka cilësuar si "...e dyta fitore pas lirisë".
Në 4 tetor të vitit 1913, Qeveria e Ismail Qemalit nënshkroi me përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, Wienner Bank Verein dhe Banca Commerciale Italiana, koncesionin e parë për krijimin e Bankës Kombëtore të Shqypëniës. Në Shqipërinë e trazuar të atij fillimshekulli, por edhe për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftës I Botërore, Banka Kombëtare e Shqipërisë nuk mundi të zhvillojë aktivitet.
Pas ripohimit me akte ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1921, u bënë diskutime të shumta për ngritjen sërish të një banke kombëtare, çka u bë realitet me marrëveshjen e përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Mario Albertit në emër të një grupi financiar italian. Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipnis do të ishte qyteti i Durrësit, ndërsa Komiteti Administrativ do ta kishte qendrën në Romë.
Banka Kombëtare e Shqipnis u themelua më 2 shtator 1925 dhe në shkurt të vitit 1926 i dha vendit monedhën e parë kombëtare shqiptare, "frangun ar", me nënfishat e tij, "lekë". Që prej themelimit, Banka Kombëtare e Shqipnis adaptoi një sistem monetar të standardit të arit, i cili vepronte në mjaft vende në atë periudhë. Sipas konventës së themelimit, Banka ishte e detyruar të mbante një rezervë metalesh të çmuara baras me një të tretën e bankënotave të vëna në qarkullim. Duke mos qenë vetëm një bankë emisioni, ajo e shtriu veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli, ndërsa nga viti 1938 e gjendur në një konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit dhe me Bankën Kombëtare të Punës, rriti shumë kreditimin dhe mbajti pozita sunduese në tregun shqiptar.
Pushteti që doli nga Lufta Nacional-Çlirimtare në nëntor 1944, nisi menjëherë procesin e shtetëzimit. Më 13 janar 1945 u miratua ligji mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe të aksioneve të saj. Po në këtë datë u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar. Kjo bankë u krijua si një institucion i rëndësishëm i sistemit financiar të Shtetit Shqiptar.
Gjatë vitit 1945, Banka e Shtetit Shqiptar nisi ta zhvillojë veprimtarinë e saj në lëmin e emetimit të monedhës dhe të kreditit. Me Dekretligjin nr. 445, datë 07.07.1947 "Mbi heqjen nga qarkullimi të bankënotave të quajtura franga dhe emetimin e një emisioni të ri", njësia bazë monetare, në vend të Frangut, u caktua Leku. Që nga shkurti i vitit 1946 e deri në fund të vitit 1990, Banka e Shtetit mbështeti procesin e zhvillimit të ekonomisë socialiste. Gjatë kësaj periudhe, në Shqipëri kanë vepruar një numër i kufizuar bankash.
Karakteristika kryesore e kohës mbetet centralizimi i skajshëm i këtij sistemi në duart e shtetit. Banka e Shtetit Shqiptar, si bankë qendrore ishte qendër e emisionit të monedhës. Ajo grumbullonte mjetet përkohësisht të lira dhe u jepte ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore dhe personave të veçantë kredi afatshkurtra dhe afatgjata, kryente shërbimin e arkës unike, mbante llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve, ruante fondet në valutë të shtetit, kryente veprimet ekonomike e financiare të shtetit me vendet e tjera, si dhe me bankat e huaja.
Me fillimin e viteve ‘90, ndërrimi i sistemit politik në Shqipëri solli ndryshime thelbësore edhe për sistemin bankar. Tiparet kryesore të këtij ndryshimi ishin: ndarja e funksioneve të bankës qendrore nga funksionet e bankave të nivelit të dytë (bankat tregtare), rritja e numrit të bankave, shtrirja e veprimtarisë së tyre të kreditit në disa degë të ekonomisë shqiptare, si dhe hyrja e kapitalit të huaj në tregun bankar. Në cilësinë e autoritetit monetar e mbikëqyrës të vendit, Banka e Shqipërisë, e cila u krijua me miratimin e ligjit nr. 7559 "Për Bankën e Shqipërisë", datë 22 prill 1992, gëzon funksione të mirëfillta të një banke qendrore klasike, me objektivin kryesor që të garantojë arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe eficiencën e sistemit financiar.