Konferenca VIII Ndërkombëtare e Bankës së Shqipërisë
Politika të stabilitetit monetar dhe financiar - leksione nga kriza


17 shtator 2009,
Hotel Sheraton, Tiranë 
 

Në datën 17 shtator 2009, Banka e Shqipërisë organizoi në  Tiranë Konferencën e 8-të Ndërkombëtare me temë "Politika të stabilitetit monetar dhe financiar - Leksione nga kriza".

Punimet e kësaj konference u përshëndetën edhe nga Kryeministri, z. Sali Berisha dhe Ministri i Financave, z. Ridvan Bode. Në këtë konferencë morën pjesë shumë guvernatorë, zëvendësguvernatorë, përfaqësues të lartë të bankave qendrore, emra të njohur të botës akademike ekonomike dhe financiare, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare, drejtues të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri si dhe shumë personalitete të tjera të vendit dhe të huaja.

Konferenca u zhvillua në kushtet kur stabiliteti financiar qëndron në krye të axhendës së bankierëve qendrorë për të patur një sistem bankar e financiar të shëndoshë në kohë të vështira, i cili kontribuon fuqishëm në zhvillimin e qëndrueshëm makroekonomik të një vendi. Konferenca ishte e konceptuar me tre panele diskutimi. Në dy panelet e para të ftuarit nga bota akademike, bankare e financiare ndërkombëtare trajtuan krizën me të gjitha elementet e saj përbërëse dhe mësimet e deritanishme si dhe ndikimin që ka patur ajo në ekonomitë e Evropës Juglindore.

Paneli i tretë mblodhi në një tryeze të përbashkët guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e bankave qendrore të Ballkanit, të cilët diskutuan rreth qëndrimeve, masave dhe eksperiencave të tyre në situatën e krizës.

Në vijim të traditës së saj disavjeçare, në përfundim të konferencës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, shpalli edhe fituesit e konkursit "Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë", për vitin 2009. 

Fjala përshëndetëse e Guvernatorit

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar Guvernatorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndjehem thellësisht i privilegjuar të hap punimet e Konferencës së Tetë të Bankës së Shqipërisë të titulluar "Politika të stabilitetit monetar dhe financiar - leksione nga kriza". Shpresoj që punimet e saj të ndihmojnë të gjithë të pranishmit për të kuptuar më mirë atë që ka ndodhur në ekonominë botërore gjatë kësaj periudhe si dhe për të nxjerrë mësimet e duhura. Personalisht, jam i bindur se cilësia e folësve të ftuar është një garanci për arritjen e këtij qëllimi. Duke ftuar pjesëmarrësit të trajtojnë sipas këndvështrimeve dhe eksperiencave përkatëse karakteristikat dhe mësimet nga kriza në botë dhe në rajon, më lejoni të them dy fjalë mbi këtë aktivitet.

Tema e zgjedhur për t'u trajtuar në këtë konferencë është në fokusin e të gjitha institucioneve përgjegjëse për politikat makroekonomike dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Pothuajse një vit më parë, paniku që pasoi falimentimin e Lehman Brothers bëri që tronditja e tregut të kredive hipotekore në ShBA të shndërrohej në një krizë të mirëfilltë financiare me përmasa globale. Integrimi i tregjeve financiare bëri që kriza të përhapej me shpejtësi, ndërsa roli jetik i sistemit të kreditit në ekonomitë e tregut të lirë e transformoi atë në një recesion të ekonomisë botërore, që nuk kaloi pa prekur vendet e Evropës Lindore e Juglindore.

Përvoja e fituar gjatë kësaj kohe ka mundësuar një njohje më të mirë të shkaqeve të krizës dhe të faktorëve që kanë forcuar dhe përshpejtuar përhapjen e saj, si dhe një rivlerësim të praktikave të ndryshme mbikëqyrëse dhe rregullatore. Do të më pëlqente që diskutimet mbi krizën, ta trajtojnë atë në dy plane: çfarë mësuam dhe çfarë nuk mundëm të mësojmë nga kriza. Midis shumë argumenteve të debatuara gjerësisht do të doja të veçoja tre: dikotominë midis shtetit dhe tregut, shkallën e besimit tek modelet e parashikimit dhe rëndësinë e koordinimit të masave parandaluese.

Në debatin shteti kundrejt tregut, dëshiroj të ritheksoj besimin tim të patundur tek tregu, me marrëveshjen që është detyra jonë si politikëbërës që të bëjmë atë të funksionojë sipas rregullave dhe në mënyrë eficiente 24/24. Vitet e fundit kanë shënuar një zhvillim të vrullshëm të modeleve dhe teknikave të sofistikuara të parashikimit. Pa dashur të nënvlerësoj rëndësinë shumë të madhe të këtyre mjeteve në punën e çdo analisti dhe politikëbërësi, duhet të jemi të ndërgjegjshëm për kufizimet e modeleve dhe për rreziqet që vijnë nga mbështetja e tepruar tek to. Kostoja e lartë e përballimit të pasojave të krizës na bën të ndërgjegjshëm për rëndësinë e ndërtimit të mekanizmave parandalues dhe mbi të gjitha, për rëndësinë e koordinimit të këtyre mekanizmave në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Sot, rreth dy vite pas shenjave të para të krizës, ekonomia dhe tregu financiar botëror gjenden në një situatë më optimiste. Rimëkëmbja e ekonomisë është reflektuar në përmirësimin e treguesve të besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, në zbutjen e presioneve deflacioniste, në normalizimin e funksionimit të sistemeve bankare dhe financiare dhe në përmirësimin e normave të rritjes së aktivitetit ekonomik në pothuajse të gjithë sektorët prodhues. Në Shqipëri, sikurse në vendet e rajonit këto zhvillime kanë qenë të pranishme.

Tremujorët e fundit kanë regjistruar rritje të kreditimit për ekonominë, përmirësimin e situatës së besimit në sistemin bankar, qëndrueshmërinë relative të kursit të këmbimit dhe ankorimin e pritjeve për inflacionin.

Tashmë është arritur një konsensus global që pjesa më e vështirë e krizës është kaluar. Ky është pa dyshim një lajm i mirë, por jo i mjaftueshëm. Ky është momenti i duhur për të konsideruar të gjitha alternativat për të ashtuquajturën "strategji të daljes/tërheqjes". Zbutja e efekteve anësore të masave antikrizë kërkon një bashkërendim veprimesh, të ndërmarrë në kohën dhe drejtimin e duhur. Politikëbërësit duhet të rivlerësojnë objektivat e politikave makroekonomike dhe financiare nga këndvështrimi i zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit.

Duke e ngushtuar shtrirjen gjeografike të diskutimit nga arena botërore në atë rajonale, po ndalem shkurtimisht në disa nga çështjet e prekura më lart.

Dikur i kam thënë një mikut tim se ekonomitë e vogla e të hapura, siç është rasti i ekonomive të Ballkanit, janë importuese neto mallrash, shërbimesh e krizash. Kriza nuk lindi në rajon. Gradualisht, ajo u përcoll në sajë të integrimit të rajonit me tregjet dhe ekonominë botërore, dhe pranisë së grupeve të fuqishme bankare ndërkombëtare. Vendet e rajonit tonë janë sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme. Rrjedhimisht forma, depërtimi dhe pasojat e krizës në secilin nga këto vende ishin sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme. Struktura ekonomike dhe sociale, shkalla e konvergjencës dhe e integrimit në tregjet botërore, normat ligjore dhe institucionale dhe veçanërisht natyra e regjimeve të kursit të këmbimit, kanë përcaktuar veçoritë e krizës për çdo shtet. Përvoja e guvernatorëve të ftuar në këtë tryezë do të hedhë dritë në drejtimet e lartpërmendura.

Duke hedhur një vështrim mbi rastin e Shqipërisë, dymbëdhjetë muajt e fundit kanë qenë sfidues për industrinë bankare. Megjithë vështirësitë e rastit, në asnjë moment sistemi bankar nuk ka shfaqur shenja paniku dhe konfuzioni. Banka e Shqipërisë gjykon se arsyeja kryesore për këtë qëndrueshmëri lidhet me kujdesin e treguar këto vitet e fundit ndaj stabilitetit financiar të sistemit bankar.

Shkalla e lartë e rezistencës dhe kthimi i shpejtë në normalitet ishin rrjedhojë e një sërë vendimesh të rëndësishme. Duke filluar nga miratimi i ligjit të ri "Për sistemin bankar në Republikën e Shqipërisë" e duke vazhduar me një sërë vendimesh të tjera të politikës monetare dhe të mbikëqyrjes bankare, kemi synuar konsolidimin e mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë dhe forcimin e stabilitetit financiar. Në fokus të strategjisë së Bankës së Shqipërisë ka qenë qeverisja dhe administrimi më i mirë i rrezikut, rritja e transparencës së aktivitetit bankar ndaj klientelës dhe forcimi i kontrollit të brendshëm. Kjo strategji ka kulmuar me një program të madh, të veçantë dhe bashkëkohor komunikimi e edukimi, të hapur dhe të vazhdueshëm me publikun.

Vlerësoj se situata e favorshme e likuiditetit dhe e kapitalit që karakterizonte sistemin bankar shqiptar në vigjilje të krizës financiare të vjeshtës së kaluar, ka ndikuar në përballimin e tërheqjeve të depozitave në periudhën shtator - tetor 2008. Megjithatë, Banka e Shqipërisë e gjykoi të domosdoshëm monitorimin e kujdesshëm të situatës duke ndërmarë një sërë veprimesh, të cilat zbutën ndjeshëm trysninë mbi sistemin bankar. Këto veprime, i kanë shërbyer qetësimit të situatës së likuiditetit dhe kanë qenë të harmonizuara me reagimin operacional të zbatuar nga BQE në përgjigje të krizës.

Së pari, u krijua grupi i posaçëm i tipit task force, përgjegjësi kryesore e të cilit edhe sot e kësaj dite, vazhdon të jetë ndjekja ditore e situatës për çdo bankë të veçantë. Konkluzioni ynë i drejtpërdrejtë ishte se analiza duhej të zbriste në nivel mikro, në çdo qelizë të sistemit dhe në çdo tregues të veçantë të tij.

Së dyti, u adoptuan një sërë lehtësish për furnizimin pa ndërprerje të sistemit me likuiditetin e duhur. U ndryshua tipi i ankandit kryesor të injektimit në ankand me çmim fiks, u zgjerua baza e kolateralit për marrëveshjet repo, u rrit norma e përdorimit të rezervës së detyruar nga 20% në 40% dhe u zvogëlua diferenca midis normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë dhe kredisë njëditore, nga 175 pikë në 75 pikë.

Së treti, nëpërmjet një akti të veçantë, Banka e Shqipërisë i kërkoi sektorit bankar rritjen e kapitalizimit të veprimtarisë bankare, si një garanci më shumë për shëndetin financiar të sektorit bankar.

Zhvillimet aktuale në sistemin financiar tregojnë se situata e përgjithshme në sektorin bankar po shënon përmirësime të vazhdueshme. Ka një kthim të depozitave në sistemin bankar, gjë që flet për forcimin e besimit të publikut.

Po kështu, edhe kredia për ekonominë ka shenja rigjallërimi. Një zhvillim tjetër pozitiv është fakti që aktualisht po preferohet kredidhënia në monedhë kombëtare. Të gjitha këto zhvillime po ndodhin në një klimë më optimiste në tregjet evropiane. Statistikat tregojnë se rimëkëmbja nga kriza ka filluar, madje më shpejt sesa edhe parashikimet më optimiste.


Të nderuar pjesëmarrës,

Besoj se panelistët e nderuar, si dhe kolegët Guvernatorë të rajonit do të adresojnë në detaje të gjitha çështjet që lidhen me krizën si dhe mësimet prej saj. Megjithatë, më lejoni që shkurtimisht të trajtoj disa argumente që mendoj se janë me interes për auditorin.

Së pari, mendoj se globalizimi i madh i ekonomisë botërore këto dy dekadat e fundit e bëri të pashmangshme përhapjen e krizës anë e mbanë globit e për rrjedhim, e pashmangshme ishte dhe nevoja për një mbrojtje të koordinuar në shkallë ndërkombëtare. Në ditët e para të krizës pamë veprime të njëanshme, të cilat krijuan arbitrazhe me efekte negative.

Globalizimi e bën të domosdoshme që infrastruktura financiare të jetë e njëjta kudo në formë, në përmbajtje, në kapacitete njerëzore dhe teknologjike. Kjo infrastrukturë të funksionojë mbi të njëjtat standarde dhe praktika, dhe të ketë fleksibilitetin e duhur për t'i paraprirë inovacioneve financiare.

Së dyti, kriza e fundit e bën të domosdoshme natyrën parandaluese dhe pararendëse të supervizionit dhe të rregullimeve ligjore, në përgjithësi. Mendoj se një kuadër rregullator është vërtet i efektshëm dhe i suksesshëm, kur ndërthur thjeshtësinë dhe transparencën e metodës së bazuar në rregulla me karakteristikat elastike dhe vizionare të një metode të bazuar në parime. Në çdo rast, besoj se kjo gjë është e domosdoshme, për t'i bërë bankat të përgjegjshme, për të bindur mbikëqyrësin për karakteristikat e rrezikut dhe të kthimit të produkteve të ndryshme të reja, brenda dhe jashtë bilancit para se ato të kapërcejnë një kufi të caktuar në madhësi dhe ekspozim, që mbart një rrezik të rritur. Banka e Shqiperise është duke punuar për të identifikuar në mënyrë konkrete drejtimet që kanë nevojë për ndryshim. Në këtë sipërmarrje, ne do të mbajmë në konsideratë edhe zhvillimet e ngjashme në rajon dhe më gjerë, për të ruajtuar konkurrueshmërinë e tregut dhe konvergjencën e praktikave mbikëqyrëse.

Së treti, mendoj se kriza e bën të domosdoshme ekzistencën e një institucioni ndërkombëtar i cili duhet të kujdeset për stabilitetin financiar, në vlerësimin e rrezikut sistemik si dhe në përcaktimin e treguesve sasiorë që e masin atë. Në këtë proces, është e rëndësishme që normat rregullative të jenë sa më transparente për të gjithë dhe në të njëjtën kohë, ai të shoqërohet prej përshpejtimit të procesit të konvergjencës së praktikave mbikëqyrëse e rregullative sipas qendrave financiare të influencës.

Së katërti, kriza aktuale vërtetoi një shqetësimin tonë të kahershëm në lidhje me ekspozimin e rajonit tonë, ndaj një grupi relativisht të vogël operatorësh bankarë me shtrirje të gjerë rajonale. Një goditje e bankës mëmë do të prekte një ose disa vende të rajonit. Një rrezik i tillë do të ekzistonte edhe në rastin kur një prej bijave në rajon do të pësonte goditje. Edhe në këtë rast, rreziku i infektimit të bijave të tjera do të ishte i pranishëm.

Së pesti, mendoj se rajoni duhet të trajtojë me shumë kujdes huadhënien në monedhë të huaj. Të vendosësh një ekuilibër më të mirë midis huadhënies në monedhë kombëtare me atë në monedhë të huaj, është një domosdoshmëri.

Për këtë qëllim, duhet të mbahet më shumë parasysh natyra e regjimit të kursit të këmbimit si dhe pamundësia e bankave qendrore të rajonit për të shërbyer si huadhënëse të instancës së fundit në valutë. Në këtë drejtim, ne duhet të mbështesim një rol më të fuqishëm të monedhës vendase në kredidhënien bankare, duke e bërë kredidhënien në valutë më të kushtueshme për bankat, nëse ajo nuk mbështetet nga kursimet me pakicë në valutë. Mbështetja e tepërt e bankave në burime financiare me shumicë në valutë për të mbështetur kredidhënien e shpejtë, duhet të trajtohet dhe administrohet në kohën e duhur.

Së gjashti, kriza aktuale mendoj se do t'i bëjë pak më të rralla fondet financiare të cilat për një periudhë të gjatë vërshuan në forma nga më të ndryshmet në të gjitha vendet ish - komuniste të Evropës Lindore. Kjo situatë mund të ketë implikime të rëndësishme për ritmet afatgjata të zhvillimit të vendeve tona, të cilat kanë ende nevojë për fonde të huaja financiare, për të mbështetur procesin e tyre të konvergjencës. Për këtë arsye, mendoj se një mësim tjetër me të cilin na përball kriza është domosdoshmëria për të hartuar dhe zbatuar programe të përbashkëta rajonale dhe reforma strukturore për të thithur projekte dhe linja financimi, duke zgjeruar dhe thelluar tregun tonë të përbashkët ballkanik.

Është e vërtetë se pas çdo krize, makroekonomia si shkencë në përgjithësi ka bërë hapa përpara. Çdo krizë përbën një ngjarje me karakteristika të veçanta, të ndryshme qoftë dhe pjesërisht nga ato të mëparshmet. Çdo krizë sjell një informacion të ri, pavarësisht intensitetit, shtrirjes gjeografike apo kohëzgjatjes. Çdo krizë plotëson me një pjesë të re puzzle-in e vështirë të funksionimit të ekonomisë së tregut të lirë, duke ndihmuar në kuptimin më të mirë të së tërës.

Besoj se shpreh një përfundim konsensual që ne, administratorët që na ra fati të qeverisim në kohë krize kemi një motiv për t'u ndjerë të privilegjuar dhe pse jo, krenarë që arritëm ta përballojmë sfidën, duke qenë jo vetëm dëshmitarë por edhe lojtarë aktivë në përballimin e saj.

Faleminderit për vëmendjen!

 

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu