Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian
Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE) parashikohet si një nga strukturat përgjegjëse për procesin e negociatave.
Strukturat dhe procedurat e funksionimit të saj përcaktohen nga legjislacioni i mëposhtëm:
- VKM nr. 749, datë 19.12.2018, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore përgjegjëse për negocimin dhe lidhjen e Traktatit të Anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Evropian”.
- Urdhri i Kryeministrit nr. 113/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Platformës së Partneritetit të Integrimit Europian”
- Urdhri i Kryeministrit nr. 94/2019 “Për krijimin, përbërjen dhe funksionimin e Grupeve të Punës Ndërinstitucionale për Integrimin Europian”
- Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.
- Ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian organizohet me dy nivele përfaqësimi:
- Bordi Drejtues, i cili kryesohet nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) dhe ka në përbërje të tij 15 anëtarë (ndër të cilët Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Kryenegociatori, zyrtarë të nivelit drejtues të MEPJ-së dhe përfaqësues nga: shoqatat e organeve të pushtetit vendor, shoqëria civile, komuniteti i biznesit, shoqata të punëmarrësve dhe bota akademike); dhe
- 33 Tryeza të Diskutimit dhe Këshillimit, të cilat krijohen në mënyrë analoge me kapitujt e acquis të Bashkimit Evropian.
Në VKM 749/2018 thuhet se informimi, konsultimi, komunikimi dhe përfshirja e shoqërisë civile, grupeve të interesit, sindikatave, akademisë dhe vetëqeverisjes vendore në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe në procesin e stabilizim-asociimit, realizohen nëpërmjet Platformës së Partneritetit për Integrim Evropian. Monitorimi i politikave publike falë platformës dhe ekspertizës në fusha të ndryshme të acquis, e hap procesin e negociatave kundrejt këtyre grupeve, sipas fushës së kompetencës.
Video Ilustruese - Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE)
- Tryezat e diskutimit dhe konsultimit në kuadër të PPIE-së
Tryezat e diskutimit dhe këshillimit kanë në përbërje përfaqësues të shoqërisë civile me një interes të veçantë ose me përvojë në çështjet që mbulohen nga kapitujt e mësipërm. Ato kryesohen nga drejtuesit e grupeve ndërinstitucionalë të punës për integrimin evropian (GNPIE) dhe koordinohen nga ministritë dhe institucionet drejtuese të kapitujve, sipas fushës së kompetencës (të përcaktuara në Urdhrin e Kryeministrit 94/2019 “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionin e Grupeve Ndërinstitucionale të Punës për Integrimin Evropian”).
Tryezat e platformës mblidhen sipas nevojës nga drejtuesit e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian, duke caktuar periodicitet, nëse shihet e arsyeshme, ose mblidhen me kërkesë nga të paktën një e treta e anëtarëve.
Banka e Shqipërisë, duke qenë institucion drejtues i dy kapitujve të acquis në procesin e negociatave, drejton edhe dy Tryezat e Diskutimit dhe Konsultimit përkatëse:
- Tryeza e Diskutimit dhe Konsultimit për Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”; dhe
- Tryeza e Diskutimit dhe Konsultimit për kapitullin 17 “Politikat Ekonomike dhe Monetare”.
- Takime dhe të reja
- Takimi - Tryeza e Diskutimit dhe Konsultimit për Kapitullin 4
- Takimi - Tryeza e Diskutimit dhe Konsultimit për Kapitullin 17
- Parashikimi i Kalendarit te takimeve “Tryeza e diskutimit dhe Këshillimit te Kapitullit 4 “Lëvizja e lire e Kapitalit”
- Parashikimi I Kalendarit te takimeve “Tryeza e diskutimit dhe Këshillimit te Kapitullit 17 “Politikat ekonomike dhe monetare”

Linkedin
X
Facebook
Instagram
YouTube
Flickr
RSS
Regjistrim
Kontakte
Përshtypje