Konferenca IX Ndërkombëtare e Bankës së Shqipërisë
Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare

.logo ivi.

15 shtator 2011,
Hotel Sheraton, Tiranë 

Në datë 15 shtator 2011, Banka e Shqipërisë organizoi Konferencën e 9-të ndërkombëtare me temë "Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare". Kjo konferencë u zhvillua në bashkëpunim me Bankën e Italisë, në kuadër të Projektit të Binjakëzimit, mes dy bankave qendrore .

Fjala e hapjes u mbajt nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, i cili vuri në dukje rëndësinë e krijimit të një kulture financiare në shkallë të gjerë kombëtare: "Për ne edukimi financiar është një e mirë publike e cila duhet të destinohet për të gjithë".

Punimet e kësaj konference u përshëndetën nga Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, nga Ambasadori i Delegacionit Evropian në Shqipëri, SH.T.Z.Ettore Sequi, nga Zëvendësministri i Arsimit dhe i Shkencës, z. Halit Shamata, si dhe nga Drejtori Menaxhues i Bankës së Italisë, z. Franco Passacantando.  Ndërkohë, lektori kryesor i këtij aktivitet ishte  i ftuari i veçantë, z. Dejan Soskic, Guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues të shumë të bankave qendrore të rajonit, drejtues të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri, emra të njohur të botës akademike ekonomike dhe financiare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare financiare, si dhe shumë personalitete të tjera të vendit dhe të huaja.

Kjo konferencë morri shkas nga  rëndësia në rritje e edukimit financiar në mbarë botën, sidomos pas zhvillimeve të fundit ekonomike dhe krizës financiare globale. Kjo e fundit nxori në pah domosdoshmërinë e krijimit të një kulture financiare me qëllim uljen e rreziqeve dhe rritjen e mirëqenies së konsumatorëve, si rrjedhojë e një vendimmarrje më të përgjegjshme. Gjatë punimeve të konferencës u prezantuan dhe rezultatet paraprake të vrojtimit për matjen e  kulturës financiare në Shqipëri. Të dhënat e përftuara prej analizimit të rezultateve të këtij vrojtimi,  të ndërtuar sipas metodologjisë së OECD-së, do të kontribuojnë në: matjen e kulturës financiare të qytetarëve shqiptarë dhe identifikimin e nevojave specifike të popullsisë për sa i përket problematikave të ndryshme të edukimit financiar;  cilësimin e nivelit të kulturës financiare të qytetarëve sipas përkatësisë së tyre socio-demografike; do të  ndihmojnë punën e autoriteteve për një identifikim më të mirë të nevojave dhe mjeteve që duhet të përdoren për një edukimin eficent financiar të publikut; si dhe do të mundësojnë krahasimin e të dhënave midis 12 vendeve që kanë kryer këtë vrojtim, të bazuar në metodologjinë e OECD-së. Raporti i plotë krahasues do të publikohet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbylli punimet e kësaj konference duke theksuar edhe një herë  rëndësinë  e hartimit dhe zbatimit të një strategjie kombëtare për edukimin financiar.  Ai vuri në dukje se Banka e Shqipërisë është e gatshme të  bashkëpunojë me sektorin publik dhe atë privat të vendit, për të krijimin e Strategjisë kombëtare të edukimit financiar në Shqipëri.


Fjala përshëndetëse e Guvernatorit

I nderuar Zoti Ministër,
I nderuar zoti Zëvendësministër,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,
I nderuar Guvernator Soskic,
I nderuar Zoti Passacantando,

Është një kënaqësi e veçantë të hap punimet e konferencës së nëntë të Bankës së Shqipërisë, e cila i kushtohet edukimit financiar. Përfitoj nga rasti të përshëndes të gjithë të pranishmit në sallë, si dhe në veçanti t'i uroj mirëseardhjen miqve tanë të huaj.

Në qoftë se do të më pyesni në mënyrë të drejtpërdrejtë se çfarë kuptoj unë me edukim financiar, me pak fjalë do të thosha se edukimi financiar: është aftësia e konsumatorëve dhe investitorëve për të kuptuar konceptet dhe produktet financiare; është aftësia për të kuptuar se si të mbrohen nga zhvillimet e padëshiruara; është aftësia e njerëzve të marrin vendime të shëndosha në lidhje me paratë e tyre në përputhje me rrethanat që ju ofron jeta.

Edukimi financiar duhet të filloje në radhë të parë nga kuptimi i rolit që financa luan në ekonominë e tregut të lirë. Financa "lubrifikon" procesin e rritjes ekonomike. Ajo gjithashtu u jep mundësi ekonomike të gjithë atyre që nuk kanë burime të mjaftueshme financiare. Ekonomisti i njohur austriak Jozef Shumpeter, në vitin 1911 është shprehur: "...nuk mund të mohohet fakti se struktura e industrisë moderne nuk mund të ngrihej në mungese te financës, se ajo i bën individët të pavarur nga trashëgimia dhe se talenti në jetën ekonomike varet nga suksesi i kredive financiare..."

Në qoftë se do më pyesni pse edukimi financiar është i rëndësishëm, me pak fjalë do të thosha: është i rëndësishëm se kontribuon në mirëqenien financiare të shqiptarëve.

Sa më shumë të ditur të jemi financiarisht aq më të zotë do të jemi në marrjen e vendimeve që do të rrisnin mirëqenien tonë. Kjo është e vërtetë për këdo, pa pasur rëndësi se kush jemi apo se nga vijmë. Siç ka thënë, Nobelisti Friedman: "Liria ekonomike është një kusht esencial për lirinë politike." Ushtrimi i të drejtave që burojnë nga liria ekonomike nuk do të kishte kuptim pa njohurit ë financiare dhe barazi në treg. Kjo nuk nënkupton vetëm informacion të njëjtë dhe të njëkohshëm, por edhe kulturën e duhur për ta përdorur këtë informacion.

Financat krijojnë vlerë të shtuar jo vetëm për të pasurit por për të gjithë shoqërinë. E domosdoshme është që të krijojmë akses të barabartë të gjithsecilit ndaj tyre. Aksesi i barabartë ndaj financave, barazia para ligjit dhe ligji mbi të gjithë, janë bazat e ekonomisë moderne të tregut. Financat dhe edukimi financiar shkojnë dora dorës me njëra tjetrën. Ato mund të shndërrojnë të varfrit në të pasur, ashtu sikurse analfabetizmi financiar mund të shndërrojë të pasurit në të varfër. Financat janë të rrezikshme kur nuk zotëron njohuritë e duhura mbi to. Kjo është arsyeja pse e vlerësoj kaq të rëndësishme konferencën e sotme. 

Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një kujdes konstant edukimit financiar të publikut. Axhenda që kemi hartuar dhe zbatuar ka qenë e plotë, gjithëpërfshirëse si në gjeografi ashtu edhe në grupmosha, e mbushur me elementë interaktiviteti dhe me metodika bashkëkohore komunikimi. Në vijim do të doja të ndalesha në citimin e disa prej elementëve që përbëjnë shtratin filozofik të punës sonë edukative.

Së pari, do të doja të sillja në vëmendjen tuaj se mirëqenia financiare e individëve është e lidhur pazgjidhshmërisht me progresin ekonomik të vendit.

Është e provuar tashmë se mirëqenia financiare e individëve është në përpjesëtim të drejtë me aktivitetin ekonomik dhe çmimet e mjeteve financiare. Lidhja shkak-pasojë është e vërtetë në të dy krahët. Ekonomia dhe institucionet tona financiare janë të forta kur shtohen vendet e punës, kur të ardhurat dhe pasuria janë në rritje. Individët e shëndetshëm financiarisht priren të konsumojnë më shumë e për rrjedhim janë të gatshëm të rrisin shpenzimet, duke i dhënë një shtysë ekonomisë. Për më tepër, njerëzit financiarisht të suksesshëm ndikojnë në rritjen e potencialit kreditues të sistemit bankar nëpërmjet kanalizimit të kursimeve të tyre në depozita.
Në këtë mënyrë, vetë ata janë më të aftë për të patur akses në kreditimin e sistemit bankar, duke i dhënë jetë bizneseve të reja që nga ana tyre sigurojnë akoma më shumë punësim dhe mirëqenie.

Për shumicën e njerëzve, të paturit e një pune dhe të një rroge, apo të një pasurie, përbën çelësin për mirëqenien personale financiare. Megjithatë, fakti që ke një punë, apo që fiton një rrogë nuk do të thotë se zotëroni automatikisht aftësinë për të marrë vendime të mençura në lidhje me përdorimin efektiv të parave që keni.

Është kjo pika, ku raporti ynë me edukimin financiar vihet para testit të së vërtetës. A është ky test i kapërcyer? Kriza e kredive nënsdandarde në SHBA tregoi se individët në të shumtën e rasteve nuk e kaluan dot këtë test. Për rrjedhim, ngarkesa e individëve të thjeshtë me borxhe njohu rritje, ndërkohë që aksesi në kreditim është vështirësuar, duke rezultuar në një rrezik të madh për të ardhmen e tyre financiare. Një analogji e ngjashme mund të bëhet edhe me kreditimin në valutë në ekonomitë e Evropës Lindore.

Së dyti, edukimi financiar duhet parë si një e mirë publike që sjell eksternalitete pozitive për shoqërinë. Ai jo vetëm rrit mirëqenien financiare të individëve, por ndikon gjithashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë eficiencën e politikave ekonomike të ndërmarra nga autoritetet.

Efektiviteti i politikave ekonomike është më i madh në kushtet e pranisë së një publiku të edukuar. Kontrolli i inflacionit dhe aktivitetit ekonomik është pothuajse i pamundur në një shoqëri që vuan nga analfabetizmi financiar ose ka kulturë financiare të cunguar. Arritja dhe ruajtja e ekuilibrave makroekonomikë, realizohet përmes instrumenteve të politikës monetare e fiskale. Shoqëria duhet të ketë njohuri mbi këto instrumente, t'i kuptojë ato, të vlerësojë stimujt e motivimet, dhe t'i përgjigjet atyre në mënyrë të përshtatshme.


Roli i rëndësishëm i sjelljes së individëve në suksesin e politikave evidentohet qartë në teorinë e "pritjeve racionale". Intuita e thjeshtë mbrapa kësaj teorie është se individët racionalë i formojnë pritjet e tyre mbi të ardhmen, duke përdorur në mënyrë optimale të gjithë informacionin që kanë në dispozicion. Ata do t'i përgjigjeshin çdo informacioni të ri, duke e ndryshuar sjelljen e tyre në mënyrë të tillë që të maksimizojnë mirëqenien.

Në këtë rast, individët "të armatosur" me kulturën financiare do t'i lexonin dhe kuptonin ndryshimet në politikat ekonomike, dhe do t'i përgjigjeshin atyre në një mënyrë të arsyeshme. Ky mirëkuptim reciprok do ta çojë ekonominë në drejtimin e dëshiruar. Banka qendrore do t'i përshtasë politikat e saj në përgjigje të sjelljes aktuale të agjentëve. Këta të fundit, do të përshtatin sjelljen e tyre në përputhje me politikën e bankës qendrore. Në mënyrë që ky ndërveprim të ndodhë, si publiku ashtu edhe banka qendrore, duhet që të flasin të njëjtën gjuhë dhe ta kuptojnë njëri-tjetrin pa keqkuptime. Menaxhimi monetar ka nevojë për këtë mirëkuptim të dyanshëm si dhe për rolin aktiv të individëve. Në këtë mënyrë, fitohet besimi i publikut, plotësohen objektivat e politikës monetare dhe rritet besueshmëria e saj.

Së treti, do të dëshiroja të theksoja se edukimi financiar i individëve krijon shtresa shoqërore më të qëndrueshme nga njëra anë, si dhe një sistem bankar më të fortë dhe më të sigurtë nga ana tjetër.
 
Edukimi financiar efikas dhe i vazhdueshëm ka qenë një nga rrugët për miliona individë dhe familjet e tyre, për të arritur objektivat e tyre financiarë dhe për të grumbulluar pasuri.

Efekti pozitiv i këtij procesi reflektohet në një stabilitet më të madh ekonomik dhe financiar në të gjithë shtresat e ndryshme të shoqërisë. Sistemi bankar ka rolin e tij në këtë proces, kryesisht nëpërmjet kreditimit të sipërmarrjeve ashtu dhe të individëve. Si rregullator, Banka e Shqipërisë jep ndihmesën e saj duke siguruar që bankat të përmbushin me përpikmëri dhe ndershmëri të gjithë detyrimet ligjore dhe rregullative në marrëdhëniet e tyre me klientelën. Ndërkohë, këta të fundit në rastin kur janë të edukuar financiarisht ndihmojnë në zhvillimin e sistemit bankar, nëpërmjet kërkesës në rritje për produkte dhe shërbime financiare. Për rrjedhim, rezultati është i qartë: efikasitet më i madh, tarifa më të ulëta, shërbime më të mira dhe sistem bankar më i shëndetshëm dhe më i sigurtë.

Së katërti, do të doja të theksoja se edukimi financiar, veçanërisht në kohë, përmirëson standardin e jetës në terma afatgjatë, përfshirë edhe vitet e pensionit.

Në analizë të fundit, arsyeja thelbësore pse një individ duhet të rrisë dijet financiare është se ky investim do ta ndihmojë atë të arrijë objektivat e veta në lidhje me administrimin e parasë.
Pavarësisht se objektivat personalë mund të ndryshojnë nga njëri individ tek tjetri, nga këndvështrimi i edukimit financiar garantohet një përmirësim i standardit të jetesës së shoqërisë si dhe rritet besimi ndaj së ardhmes.

Individët e edukuar financiarisht, janë të aftë të bëjnë plane financiare më të shëndetshme, që në hapat e para të karrierës së tyre. Njohuritë që kanë marrë, ju krijojnë atyre lehtësi për planifikimin financiar të moshës së pensionit, të edukimit të fëmijëve dhe të akumulimit të pasurisë financiare. Këto sjellje individuale, në dukje të parëndësishme sjellin përfitime të mëdha në këndvështrimin kombëtar.

Së pesti, do të doja të theksoja se marrja e njohurive financiare nëpërmjet edukimit është një proces afatgjatë, i shtrirë në kohë, ku prania e institucioneve të specializuara është e domosdoshme.

Edhe pse në kohë krizash financiare dëmet që pësojnë individët janë të mëdha, përsëri në mënyrë të pakuptueshme, ata vazhdojnë të përfshihen në krizat që pasojnë. Numri i individëve që janë familjarë me normat e interesit që përfitojnë ose paguajnë në transaksionet financiare është akoma i vogël.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe kur flitet për strategjitë e investimit, për identifikimin dhe vlerësimin e rrezikut financiar si dhe për koncepte të tjera elementare të administrimit të parasë.

Shumë njerëz nuk mendojnë në terma financiare dhe nuk i kuptojnë drejtë përfitimet dhe kostot që rrjedhin nga përdorimi i kredisë bankare, apo efektet pasurore që rrjedhin nga pronësia mbi shtëpitë dhe mjete të tjera të ngjashme të përdorimit afatgjatë.

Shkaqet e kësaj sjelljeje janë të kuptueshme dhe lidhen së pari me faktin se pjesa dërrmuese e shoqërisë i përfiton njohuritë në mënyrë rastësore, dështim pas dështimi, duke shpresuar që gabimi i radhës të bëhet mësim për të ardhmen.

Një mënyrë për të çrrënjosur të mësuarin nëpërmjet dëgjimit të rastësishëm, është futja e koncepteve të leximit financiar herët në edukimin e çdo fëmije. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë me krenari do të thosha ka dhënë një kontribut të spikatur. Me lejoni që shkurtimisht të bëj një ekspoze të punës së bërë në këtë drejtim.
Stacioni i parë strategjik i edukimit financiar të ofruar nga Banka e Shqipërisë ishte identifikimi i nevojave dhe vendosja e prioriteteve në trajtimin e tyre. Nga ky këndvështrim, vlerësuam se ishte e domosdoshme hapja "de facto" e vetë Bankës së Shqipërisë ndaj publikut. Shtimi i komunikimit me tregun dhe pjesëmarrësit e rëndësishëm të tij, shpjegimi periodik i vendimmarrjes së politikës monetare dhe balancës së rreziqeve në lidhje me inflacionin dhe stabilitetin financiar, janë disa iniciativa që i vlerësojmë si një proces edukativ shumë efektiv.

Me kënaqësi konstatoj faktin se sot kemi:

  • një opinion publik i cili krijon pritshmëri në lidhje me vendimmarrjen tonë;
  • një sektor mediatik, i cili ka rritur në mënyrë të admirueshme kuptimin, interpretimin dhe pritshmëritë në lidhje me vendimmarrjen tonë;
  • një sektor bankar, i cili lexon saktë dhe reagon me shkallë të lartë elasticiteti në kahun e orientuar prej nesh;
  • një oponencë publike të kualifikuar, ku Banka e Shqipërisë gjen një pasqyrë të opinionit alternativ në lidhje me vendimet dhe praktikat e adoptuara prej saj.

Një drejtim tjetër i rëndësishëm ishte dhe identifikimi dhe shtresëzimi i popullatës, sipas disa karakteristikave të caktuara demografike, gjeografike dhe kulturore. Për ne, edukimi financiar është një e mirë publike, e cila duhet të destinohet për të gjithë. Në përputhje me eksperiencat më të mira ndërkombëtare, ne identifikuam si shumë të rëndësishëm edukimin financiar të grupmoshave të reja, duke përzgjedhur jo vetëm nxënësit, por edhe edukatorët e tyre. Realizimi në praktikë ka qenë një proces kompleks që kërkon burime njerëzore të kualifikuara dhe burime financiare.

Për këtë qëllim, edhe slogani i adoptuar prej nesh ka qenë shumë domethënës: "Edukimi kushton, por nuk ka çmim". Teknikat e realizmit janë të njohura tashmë: kontakt i drejtpërdrejtë, lojëra interaktive që nxisin imagjinatën e fëmijëve, kontakt nëpërmjet një serie publikimesh me nivel fleksibël vështirësie, trajnimeve të mësuesve të lëndës së ekonomisë, si dhe një tur i vërtetë vizitash nëpër shkolla të ndryshme të vendit.

Në këtë drejtim, do të doja të veçoja kontributin e fundit që Banka e Shqipërisë i dha nxënësve të shkollave të mesme nëpërmjet librit: "Financat personale në duart tuaja", një publikim i ideuar për shkollat e mesme, si pjesë e kurrikulës me zgjedhje që bëjnë nxënësit vetë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Edukimi nga vetë natyra e tij është i pafundëm. Ai nuk njeh moshë. Është i thellë, i pamatshëm, gjithëpërfshirës. Për këtë arsye, më duhet të pohoj se pavarësisht asaj ç'kemi bërë, mendoj se rruga para nesh është akoma e gjatë. Banka e Shqipërisë gjykon të nevojshme hartimin dhe zbatimin e një strategjie kombëtare për edukimin bashkëkohor financiar. Banka e Shqipërisë është e gatshme t'i bashkohet çdo nisme në nivel kombëtar, e cila do të synonte të promovonte përhapjen dhe depërtimin e dijes anë e mbanë vendit.

 

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu