As.Prof.Dr. Petraq Milo

img petraq milo 200 8726 0

Petraq Milo është doktor i shkencave ekonomike akorduar nga CERDI, Auvergne Universiteti i Clermond-Ferrand 1, Francë në vitin 1999. Në vitin 1996 ka përfunduar studimet për Master në Administrimin e Politikave Ekonomike nga Auvergne Universiteti i Clermont-Ferrand, CERDI dhe Banka Botërore në Francë dhe SHBA. Në vitin 1988 është diplomuar si ekonomist për industrinë nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Administrimit të Biznesit në Universitetin e Tiranës, po ashtu është diplomuar si oficer instruktor i artilerisë tokësore në Shkollën e Lartë të Bashkuar (1981).

Fillimet e karrierës së tij lidhen me punë në ndërmarrje të ndryshme të vendit që i përkisnin sektorëve të tregtisë dhe industrisë. Në vitin 1991 filloi punë në Ministrinë e Financave, fillimisht në pozicionin e drejtorit të Departamentit të Çmimeve dhe Pagave, më pas si drejtor i Departamentit të Analizave Makroekonomike dhe të Parashikimeve, për të kaluar në vijim si drejtor i Departamentit të Buxhetit.

Në vitin 1996 ka punuar në Departamentin 2 të Rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore të Bankës Botërore në Washington D.C. Ka ofruar konsulencë financiare për projekte dhe punëdhënës të ndryshëm, ndër të cilët për Qendrën e Studimeve dhe Kërkimeve mbi Zhvillimin Ndërkombëtar CERDI, Clermont-Ferrand, Francë (1996-1999); Maxwell Stamp Offices, Londër, Angli (1999); Agjencinë Franceze të Zhvillimit, Francë (1999-2000); Delegacioni Evropian EU- Cards Program (2005). Gjithashtu, ndër eksperiencat e tij profesionale në fushën e konsulencës renditet edhe pozicioni i drejtuesit të kompanisë konsulente “EUROCONSULTING – Group”, të licencuar në Prishtinë (2005-2008). Gjatë periudhës 2000-2005, Petraq Milo ka ushtruar funksione të rëndësishme drejtuese në Kosovë pranë Shtyllës së 4 të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara, si zëvendësdrejtor dhe më pas drejtor i buxhetit në Departamentin e Buxhetit pranë Autoritetit Qendror Fiskal, UNMIK (2000-2002); drejtor i politikave këshillëdhënëse, Zyra Fiskale - Komuniteti Evropian Shtylla 4, UNMIK (2003); drejtues i Zyrës Fiskale dhe anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Autoritetit Bankar - UNMIK, Kosovë (2003-2005).

Z. Milo ka patur ndër vite edhe një sërë angazhimesh të tjera profesionale si anëtar i Bordit të Korporatës së Naftës (1992-1994); anëtar i Bordit të Sigurimeve Shoqërore (1993-1994); president i Komitetit të Borxhit të Brendshëm (1994); anëtar i Bordit të KESH (2005-2008); kryetar i Bordit të INSIG (2007-2011); Këshilltar i Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë për financat publike dhe politikat monetare (2005-2013).

Ndërkohë, As.Prof.Dr. Petraq Milo është i angazhuar edhe në mësimdhënie, si lektor pranë Qendrës së Studimeve dhe Kërkimeve mbi Zhvillimin Ndërkombëtar të Universitetit të Clermont-Ferrand 1 në Francë; si asistent profesor në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomik si dhe në Institutin e Studimeve Evropiane; si asistent profesor në Universitetin e Biznesit dhe të Teknologjisë në Kosovë; si dhe asistent profesor në themelimin e Universitetit të Evropës Juglindore në Maqedoni. Është autor i studimeve dhe publikimit të librave si dhe artikujve brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrës në shumë seminare dhe konferenca kombëtare e ndërkombëtare në fushën e ekonomisë dhe të financës, si dhe është udhëheqës i studimeve master dhe doktoraturave për tematika të fushës së ekonomisë.

Nga viti 2005 mban pozicionin e këshilltarit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë për financat publike dhe politikat monetare.

Është njohës shumë i mirë i gjuhëve angleze, franceze dhe italiane.

Z. Petraq Milo është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.