Zj. Holta Zaçaj

Holta Zaçaj

 

Holta Zaçaj mban detyrën e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë që prej datës 1 prill 2026 dhe është anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të saj që nga 20 shkurti 2026.

Ajo u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në vitin 1998. Në kuadër të programit Fulbright, përfundoi studimet master shkencor (LL.M.) në fushën “Titujt dhe rregullimet financiare” në Universitetin Georgetown, SHBA, (2007–2008).

Karrierën profesionale e nisi në vitin 1999 si juriste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut në Qendrën “Paqe nëpërmjet Drejtësisë”, në projektin për krimet e luftës në Kosovë. Në vijim u angazhua si avokate në Qendrën e Praktikave dhe Shërbimeve Ligjore të Integruara (QSHPLI), në projektet e ndihmës ligjore falas.

Nga viti 2008, krahas angazhimit në shoqërinë civile, si avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut, ajo ushtroi profesionin e avokates në një sërë zyrash prestigjioze ligjore, përfshirë këtu dhe në shtetin e Massachusetts, SHBA.

Zj. Zaçaj ka një eksperiencë të gjerë në ndërthurjen e së drejtës, me sektorin financiar dhe bankar. Gjatë periudhës 2013–2018, ajo mbajti detyrën e Drejtores së Departamentit Ligjor në Alpha Bank sh.a., ku luajti një rol kyç në këshillimin ligjor strategjik të bankës, menaxhimin e rreziqeve ligjore dhe përafrimin e praktikave me standardet ndërkombëtare të sektorit financiar.

Gjatë periudhës shkurt 2023 – nëntor 2025, ajo ushtroi detyrën e gjyqtares dhe Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Në këtë rol, ajo udhëhoqi institucionin më të lartë të drejtësisë kushtetuese në vend, duke kontribuar në forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e Kushtetutës dhe garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve.

Përgjatë karrierës së saj, zj. Zaçaj ka kontribuuar si eksperte ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare pranë institucioneve të rëndësishme si UNICEF, Këshilli i Evropës, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Paralelisht me angazhimet profesionale, nga viti 2009 e në vijim, zj. Zaçaj është angazhuar si lektore në Shkollën e Magjistraturës në programet e trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm, si dhe ka dhënë leksione në fushën e së drejtës bankare dhe financiare në disa universitete në Shqipëri.

Zj. Zaçaj është autore dhe bashkautore e rreth 30 studimeve dhe botimeve në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtës familjare, te drejtës kushtetuese, si dhe të drejtës bankare dhe të titujve.

Është njohëse shumë e mirë e gjuhës angleze, italiane, franceze dhe gjermane.