Prof. Dr. Dhori Kule

dhori kule 8727 0
Prof. Dr. Dhori Kule kreu studimet në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, në vitin 1982 dhe mban titullin "Profesor Doktor" në ekonomi nga viti 1996.

Pas diplomimit, në vitin 1982, për një periudhë dyvjeçare ka punuar si përgjegjës i Departamentit Ekonomik të Uzinës Mekanike të Naftës në Kuçovë dhe njëkohësisht si pedagog i jashtëm i Filialit të Beratit. Në vitin 1984 filloi punë si pedagog i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, duke ushtruar edhe detyrat e përgjegjësit të Seksionit të Mikroekonomisë (1993-1994), Zëvendësdekanit të Fakultetit të Ekonomisë dhe përgjegjësit të Departamentit të Ekonomisë (1994-1996), të Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë dhe kryetarit të Këshillit të këtij Fakulteti (1997-2008) dhe të Rektorit të Universitetit të Tiranës (2008-2016).

Nga viti 2016, Prof. Dr. Dhori Kule është Dekan i fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. 

Ndër angazhimet e tjera të Prof. Dr. Dhori Kules ndër vite, vlen të përmendim edhe pozicionet si: kryetar i Unionit të Ekonomistëve Mbarëshqiptarë (1998), anëtar i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit të Edukimit Ekonomik të të Rinjve (1995-2004), anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Kursimeve (1999-2003), këshilltar i jashtëm për çështjet ekonomike pranë Komisionit të Ekonomisë së Kuvendit të Shqipërisë (2001-2004), kryetar i Këshillit të Statistikave (2006 - 2012) dhe anëtar i organeve të zgjedhura të qeverisjes lokale.
 
Në bibliografinë e punimeve të tij numërohen mjaft artikuj shkencorë, të cilët janë botuar brenda dhe jashtë vendit. Prof. Dr. Dhori Kule është bashkautor i disa teksteve mësimore, si “Hyrje në Ekonomi”, “Ekonomi e Zbatuar” etj. Ai ka kryer specializime pasuniversitare në disa universitete evropiane e amerikane dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i mjaft studimeve të karakterit ekonomik, si dhe është udhëheqës i shumë doktorantëve për tematika të zhvillimeve lokale e globale.

Mban titullin “Qytetar Nderi” i qyteteve Sarandë, Kukës dhe komunave Çair (Shkup) dhe Margegaj (Tropojë) për kontribute të veçanta në arsim dhe për komunitetin. Mban gjithashtu titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë dhe nga Universiteti Shtetëror i Tetovës.

Është njohës shumë i mirë i gjuhës angleze, zotëron atë italiane e ruse.

Prof. Dr. Dhori Kule është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.