Vrojtimi për aktivitetin kreditues, T1 - 2009

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 12.05.2009
Data e shtypjes: 12.05.2009
Kategoria e materialit: Vrojtime periodike / Vrojtim i aktivitetit kreditues
Rezultatet nga vrojtimi i aktivitetit kreditues tregojnë se kriteret për kreditë dhënë bizneseve dhe individëve, në përgjithësi mbeten të shtrënguara edhe për tremujorin e parë të vitit 2009. Faktorët kryesorë pas politikës shtrënguese të bankave vijojnë të jenë si në vrojtimet e kaluara; vlerësimi për situatën makroekonomike dhe faktorë specifikë të sektorit ku operojnë për bizneset; dhe gjendja financiare për individët. Në ndryshim nga vrojtimi i kaluar, kriteret për miratimin e kredive për bizneset kanë qenë më të shtrënguara se sa kriteret për miratimin e kredive të individëve. Kështu, balanca neto (përqindja neto e bankave që raportojnë lehtësim të kritereve) e ndryshimit të kritereve të kredidhënies sipas opinioneve të ekspertëve të bankave është -66% për ndërmarrjet dhe -44% për individët. Kriteret për miratimin e kredive dhënë bizneseve vijojnë edhe në këtë vrojtim të raportohen më të shtrënguara për korporatat se sa për bizneset e vogla dhe të mesme dhe; për kreditë me qëllim përdorimi për investime afatgjata se sa për qëllime të kapitalit qarkullues. Kriteret për kredinë e individëve janë shtrënguar në të njëjtën shkallë si për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore.