Vrojtim mbi “Gjendjen Financiare dhe Huamarrjen e Ndërmarrjeve në Shqipëri”

Banka e Shqipërisë, prej vitit 2010, zhvillon vrojtimin mbi “Gjendjen Financiare dhe Huamarrjen e Ndërmarrjeve në Shqipëri”, me një frekuencë gjashtëmujore. Ky vrojtim përdor një kampion rastësor prej rreth 1200 ndërmarrjesh, të përzgjedhura dhe të intervistuara nga INSTAT. Sipas metodologjisë së INSTAT, ndërmarrjet janë të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, veprojnë në sektorët kryesorë të ekonomisë dhe reflektojnë në mënyrë të përshtatshme ndarjen në ndërmarrje të vogla, të mesme dhe të mëdha. Qëllimi i vrojtimit është të sigurojë të dhëna plotësuese mbi aspekte të ndryshme të financave dhe të huamarrjes së ndërmarrjeve, të cilat nuk mund të sigurohen nga të dhënat zyrtare. Informacioni i mbledhur nga ky vrojtim, shërben për të plotësuar dhe thelluar më tej analizat që realizohen aktualisht nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të evidentimit dhe monitorimit të rreziqeve që mund t’i vijnë sistemit financiar nga ekspozimi i sektorit të ndërmarrjeve.