Vrojtim mbi “Gjendjen Financiare dhe Huamarrjen e Familjeve në Shqipëri”

Banka e Shqipërisë, prej vitit 2010, zhvillon vrojtimin mbi “Gjendjen Financiare dhe Huamarrjen e Familjeve në Shqipëri”, me një frekuencë gjashtëmujore. Ky vrojtim përdor një kampion rastësor prej rreth 1200 familjesh, të përzgjedhura dhe të intervistuara nga INSTAT. Sipas metodologjisë së INSTAT, familjet janë të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, me nivel të përshtatshëm përfaqësimi urban dhe rural. Qëllimi i vrojtimit është të sigurojë të dhëna plotësuese mbi aspekte të ndryshme të financave dhe të huamarrjes së familjeve shqiptare, të cilat nuk mund të sigurohen nga të dhënat zyrtare. Informacioni i mbledhur nga ky vrojtim, shërben për të plotësuar dhe thelluar më tej analizat që realizohen aktualisht nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të evidentimit dhe monitorimit të rreziqeve që mund t’i vijnë sistemit financiar nga ekspozimi i sektorit të familjeve.