Vrojtimi për aktivitetin kreditues, T3 - 2010

Authori: Departamenti i Politikës Monetare
Data e prodhimit: 10.11.2010
Data e shtypjes: 10.11.2010
Kategoria e materialit: Vrojtime periodike / Vrojtim i aktivitetit kreditues
Bazuar në rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues për tremujorin e tretë të vitit 2010, standardet e kredisë u lehtësuan pak për bizneset ndërsa për individët janë shtrënguar disi në krahasim me një tremujor më parë. Përqindja neto e bankave që kanë lehtësuar standardet e kredisë akorduar bizneseve është 1.1% ndërsa për individët -1.2%. Ky zhvillim në standardet e aplikuara për bizneset ishte parashikuar nga ekspertët e kredisë gjatë vrojtimit të tremujorit të kaluar. Lehtësimi i standardeve në tremujorin e tretë është regjistruar vetëm për kategorinë e ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe për kredinë akorduar individëve për qëllim blerje banese. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë nga bizneset, standardet janë lehtësuar më shumë për qëllime të financimit të kapitalit qarkullues sesa për financimin e investimeve. Faktori që ka nxitur ndryshimin drejt lehtësimit të standardeve në tremujorin e tretë të vitit 2010 është konkurrenca.