Java Globale e Parasë, 2022

Në datën 24 mars 2022, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u organizua ceremonia kremtuese e Javës së Parasë për vitin 2022 nën sloganin “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”. Banka e Shqipërisë mori pjesë për herë të tetë në këtë kremtim, ku në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, organizuan aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese, duke përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi 8000 nxënës dhe studentë, nga më shumë se 140 shkolla të të gjitha niveleve, nga i gjithë vendi. Aktivitetet e organizuara përfshinë: konkurse shkollore, leksione në auditoret e universiteteve, si dhe orë mësimore në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme. 

Organizatorë:

Banka e Shqipërisë (BSH) dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), me mbështetjen e: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD).

Tema e këtij viti ishte: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Aktivitetet e Javës së Parasë

Ceremonia kremtuese e Javës së Parasë u organizua në ambientet e Muzeut të Bankës së Shqipërisë. Aktivitetin kremtues e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Evis Kushi, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella.

Pas fjalëve të rastit, aktiviteti vijoi me shpërndarjen e çmimeve për fituesit e 5 konkurseve të lançuara një muaj më parë nga BSH dhe AAB. Drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare që sponsorizuan çmimet për fituesit e konkurseve, ndanë çmimet dhe bënë foto me nxënësit dhe studentët fitues. 

Video live e ceremonisë:    

https://www.facebook.com/Bank.of.Albania/videos/391225059508960

Në konkurrim u paraqitën mbi 450 vizatime, të realizuara nga nxënës të 35 shkollave 9-vjeçare. Çmimet për 5 vizatimet fituese u sponsorizuan nga Banka Union.

Në konkurrim u paraqitën 63 fotomontazhe, të realizuara nga nxënës të 27 shkollave 9-vjeçare të vendit. Çmimet për 5 fotomontazhet fituese u sponsorizuan nga Banka OTP.

Gjithsej në konkurs u paraqitën 62 video, të realizuara nga 86 nxënës të 19 shkollave të mesme të vendit. Çmimet për 3 videot fituese u sponsorizuan nga Banka Credins.

Përmes faqes Facebook të Bankës së Shqipërisë, për një javë, të rinjtë gjimnazistë u sfiduan t’u përgjigjeshin saktë dhe në mënyrë të mirargumentuar 7 pyetjeve mbi paranë dhe bankat. Gjithsej në konkurs u përfshinë mbi 40 nxënës të shkollave të mesme të vendit. Çmimet për 5 fituesit u sponsorizuan nga Banka Raiffeisen.

Studentët u ftuan të realizonin ese argumentuese jo më të gjata se 1500 fjalë, duke përmbushur kriteret e shkrimit akademik mbi risitë e bankës digjitale kundrejt asaj tradicionale dhe ndikimin e saj në rritjen e përfshirjes financiare. Gjithsej në konkurs u paraqitën 25 punime, të realizuara nga studentë të 9 universiteteve publike dhe jopublike. Çmimet për 5 esetë fituese të konkursit u sponsorizuan nga Banka Kombëtare Tregtare.
 

Gjatë ditëve të Javës së Parasë, ekspertë të Bankës së Shqipërisë mbajtën leksione të hapura për studentët e disa universiteteve të vendit, duke përcjellë ekspertizën e tyre mbi tema të lidhura me financën dhe bankingun qendror. Këto leksione u dhanë mundësinë studentëve të diskutonin rreth çështjeve të momentit, por edhe të zgjeronin njohuritë mbi çështje të trajtuara gjatë studimeve të tyre. 

Leksion i hapur në Universitetin "Luigj Gurakuqi", Shkodër, me temë “Roli i Bankës së Shqipërisë në ekonominë shqiptare”, nga Dr. Fiqiri Baholli, Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë.

Leksion i hapur në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, me temë "Efektet e pandemisë dhe luftës në tregtinë globale dhe shqiptare - Roli i besimit të agjentëve ekonomikë në raste krizash”, nga z. Olsi Pajo, Departamenti i Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë.

Leksion i hapur në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", Elbasan, me temë “Stabiliteti financiar i Shqipërisë, ndikimet nga krizat e ndryshme”, nga Elona Dushku, Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë. 

Leksion i hapur në Universitetin “Luarasi”, Tiranë, me temë "Efektet e pandemisë dhe luftës në tregtinë globale dhe shqiptare - Roli i besimit të agjentëve ekonomikë në raste krizash”, nga z. Olsi Pajo, Departamenti i Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë.

Ekspertë të bankave tregtare vizituan auditorët e disa universiteteve për të promovuar kanalet alternative të bankingut dhe për t’i njohur të rinjtë me risitë digjitale në këtë fushë. Të rinjtë janë jo vetëm klientë potencialë të këtyre shërbimeve, por mund të shërbejnë edhe si vektorë përcjellës të këtyre njohurive edhe te grupe të tjera të shoqërisë. 

Universiteti

Banka organizuese

Universiteti i Tiranës, Fakulteti Ekonomik

Banka Union

Universiteti "Aleksandër Xhuvani", Elbasan

Banka Union

Universiteti "Luigj Gurakuqi", Shkodër

Banka Union

Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Departamenti i Informatikës

Banka Raiffeisen

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Fakulteti Ekonomik

Tirana Bank

Universiteti Europian i Tiranës, Tiranë

Banka Credins

Universiteti “Epoka”, Tiranë

Banka Intesa SanPaolo

Gjatë Javës së Parasë 2022, ekspertë të Bankës së Shqipërisë vizituan disa gjimnaze të 3 qytete të ndryshme të vendit, me qëllim mbajtjen e orëve të hapura mësimore për nxënësit gjimnazistë, me temë: “Të njohim paranë tonë! As i vjetër e as i ri, jam thjesht LEK!”. Prezantimet i njohën nxënësit me historinë e krijimit të bankës qendrore në vendin tonë dhe atë të monedhës tonë zyrtare, si dhe trajtoi fenomenin e gabuar të komunikimit me Lekë të vjetër apo të rinj. Ky aktivitet u zhvillua në shkollat: gjimnazi “Dhaskal Todri”, Elbasan; gjimnazi “Besnik Sykja”, Tiranë; dhe gjimnazi “Leonik Tomeo”, Durrës.

Gjatë Javës së Parasë 2022, ekspertë të Bankës së Shqipërisë vizituan disa shkolla 9-vjeçare të Tiranës me qëllim mbajtjen e orëve mësimore për nxënësit e klasave V, me temë: “Të njohim kartëmonedhën kombëtare!”. Prezantimet i njohën nxënësit me historinë e monedhës tonë zyrtare, elementet e sigurisë së kartëmonedhave Lek dhe simbolikën e përcjellë në monedhat dhe kartëmonedhat tona. Ky aktivitet përfshiu shkollat 9-vjeçare: “Fan Noli”, “Avni Rustemi”, “Servete Maçi” dhe Shkollën “E Kuqe”.

Më 30 mars 2022, Shoqata Shqiptare e Bankave, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, organizoi për herë të katërt Kuizin Evropian të Parasë me pjesëmarrjen e 360 nxënësve të grup-moshës 13-15 vjeç nga 58 shkolla nga i gjithë vendi. Konkursi u realizua online dhe u shfaq Livestream në kanalin YouTube të AAB-së. Pjesëmarrësit konkurruan në bazë ekipore të organizuar nëpërmjet platformës online Kahoot!. 

Fituese u shpall skuadra e shkollës 9-vjeçare “Hafiz Ali Podgorica” në Durrës, e përbërë nga: Arbër Kertalli dhe Besart Ceka. Fituesit do të përfaqësojnë Shqipërinë në finalen Evropiane të Kuizit të Parasë, që do të zhvillohet online më 10 maj 2022.