Java Globale e Parasë, 2023

Në datën 20 mars 2023, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u organizua ceremonia kremtuese e Javës së Parasë për vitin 2023 nën sloganin “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”. Banka e Shqipërisë mori pjesë për herë të nëntë në këtë kremtim, ku në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, organizuan aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese, duke përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi rreth 4000 nxënës dhe studentë, nga më shumë se 160 shkolla të të gjitha niveleve, nga i gjithë vendi. Aktivitetet e organizuara përfshinë: konkurse shkollore, leksione në auditoret e universiteteve, si dhe orë mësimore në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme. 

 

Organizatorë:

Banka e Shqipërisë (BSH) dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), me mbështetjen e: Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), Junior Achievement of Albania (JAA).

Tema e këtij viti ishte: “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”

Aktivitetet e Javës së Parasë

Në datën 20 mars 2023, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2023. Kjo Javë është një festë mbarëbotërore e parasë që ka për qëllim ndërgjegjësimin e  fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.
Gjatë javës 20-26 mars 2023, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, organizojnë aktivitete të larmishme për fëmijët dhe të rinjtë. Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht: si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht. Këto do të realizohen nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe orë të hapura mësimore.


Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2023 e përshëndetën z. Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zj. Evis Kushi, Ministre e Arsimit dhe Sportit dhe z. Bledar Shella, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave. Më tej, aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit 5 konkurseve të para të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

 

Në konkursin “Vizatimi më i mirë” morën pjesë 350 nxënës së klasave të treta nga 75 shkolla 9-vjeçare të vendit.

 

Në konkursin “Projekti më i mirë me temë "Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde"” u paraqitën 46 projekte, të realizuara nga rreth 1140 nxënës të 38 shkollave 9-vjeçare të vendit.

 

Në konkursin “Fotomontazhi më i mirë me temë "Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde"” u paraqitën 61 fotomontazhe, të realizuara nga nxënës të 32 shkollave 9-vjeçare të vendit.

 

Në konkursin “Videoja më e mirë me temë "Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde" u paraqitën 69 video, të realizuara nga 97 nxënës të 47 shkollave të mesme të vendit.

 

Në konkursin e esesë më të mirë me temë “Ndryshimet klimatike - përse janë të rëndësishme për sektorin financiar në Shqipëri?” (Dega e Ekonomiksit/ Financë-Bankë), u paraqitën 11 punime, të realizuara nga studentë të 7 universiteteve publike dhe jopublike.

 

Gjatë ditëve të Javës së Parasë, ekspertë të Bankës së Shqipërisë mbajtën leksione të hapura për studentët e disa universiteteve të vendit, duke përcjellë ekspertizën e tyre mbi tema të lidhura me financën dhe bankingun qendror. Këto leksione u dhanë mundësinë studentëve të diskutonin rreth çështjeve të momentit, por edhe të zgjeronin njohuritë mbi çështje të trajtuara gjatë studimeve të tyre. 
 

Leksion i hapur në Universitetin " Luigj Gurakuqi", Shkodër, me temë “Ndryshimi klimatik dhe rëndësia e tij për bankën qendrore”, nga PhD. Margerita Topalli, Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë.

Leksion i hapur në Universitetin "Aleksandër Moisiu”, Durrës, me temë “Inflacioni në  rritje – impakti mbi ekonominë në kushtet e rreziqeve te shtuara", nga Dr. Fiqiri Baholli, Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë. 
 

Leksion i hapur në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", Elbasan, me temë “Njohja e funksionit të Auditimit të Brendshëm në institucionet financiare”, nga Ledia Canga, Departamenti i Kontrollit, Banka e Shqipërisë.

 

Gjatë Javës së Parasë 2023, ekspertë të Bankës së Shqipërisë vizituan disa gjimnaze të 3 qytete të ndryshme të vendit, me qëllim mbajtjen e orëve të hapura mësimore për nxënësit gjimnazistë, me temë: “Të njohim paranë tonë! As i vjetër e as i ri, jam thjesht LEK!”. Prezantimet i njohën nxënësit me historinë e krijimit të bankës qendrore në vendin tonë dhe atë të monedhës tonë zyrtare, si dhe trajtoi fenomenin e gabuar të komunikimit me Lekë të vjetër apo të rinj. Ky aktivitet u zhvillua në shkollat: Kolegji “Turgut Ozal”, Durrës dhe Gjimnazi “28 Nëntori”, Shkodër.

 

Gjatë Javës së Parasë 2023, ekspertë të Bankës së Shqipërisë vizituan disa shkolla 9-vjeçare të Tiranës me qëllim mbajtjen e orëve mësimore për nxënësit e klasave V, me temë: “Administro paratë e tua, kultivo të ardhmen tënde!”. Ky aktivitet përfshiu shkollat 9-vjeçare: “Fan Noli”, Shkolla Mëzez Fushë, Shkolla “Kongresi i Manastirit”, Shkolla Farka e Vogël, Shkolla “Lidhja e Prizrenit”, Shkolla “Bashkim Fino”, Shkolla “Klodian Tanushi”, Shkolla “Kosova”, dhe Shkolla “Androkli Kostallari”.

 

 

Në Kuizin Evropian të Parasë u regjistruan 926 nxënës të grup moshës 13-15 vjeç nga 89 shkolla nga i gjithë vendi (34 nga Tirana dhe 55 nga rrethet). Konkursi u realizua online dhe u ndoq me interes të lartë nga më tepër se 1,700 shikues. Pjesëmarrësit konkurruan në platformën online Kahoot!, të organizuar në 463 ekipe.