Java Globale e Parasë, 2017

Më 27 mars 2017, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë,  një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht.

Banka e Shqipërisë mori pjesë për herë të katërt në këtë kremtim, ku në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave,me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), Junior Achievement (JA) dhe Shërbimit Kombëtar për Rininë (SHKR), organizuan aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese duke përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth 2200 fëmijë dhe të rinj.  Më poshtë gjeni një përshkrim të përgjithshëm të aktiviteteve të Javës së Parasë në Shqipëri, në datat 27 mars- 2 prill 2017, të tilla si: leksione, konkurse shkollore dhe televizive, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe në banka tregtare, shfaqje teatrale dhe ekspozitë edukuese me piktura për fëmijë. 

Në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua ceremonia e hapjes së Javës së Parasë, ku qenë  të pranishëm përfaqësues të nivelit më të lartë drejtues të institucioneve financiare dhe medias, si dhe shumë të rinj nga shkolla 9-vjeçare, gjimnaze dhe universitete të ndryshme të Tiranës. Në fjalën e tyre përshëndetëse, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, theksuan ndër të tjera, misionin e Javës së Parasë, që është ndërgjegjësimi i brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht. Gjithashtu, gjatë këtij aktiviteti u shpallën edhe fituesit e tre konkurseve të lançuara një muaj më parë në “Facebook” nga BSH dhe AAB, të cilat përfshinë:

Nxënësit e shkollave fillore (klasat I-III) u ftuan të realizojnë vizatime të thjeshta mbi konceptin e tyre të parasë dhe të kursimit. Në këtë konkurs morën pjesë mbi 500 nxënës nga rreth 35 shkolla 9-vjeçare, prej të cilëve u përzgjodhën 10 fitues. Të gjitha vizatimet u publikuan në faqen e Facebook-ut për të marrë pëlqime të cilat iu bashkëngjitën vlerësimeve të Jurisë, e cila përbëhej nga përfaqësues të katër institucioneve (BSH. MAS, AAB dhe FIBANK) për të nxjerrë punimet më të mira. Punimet më të mira u ekspozuan në ambientet e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, ku të gjithë fituesit morën dhurata simbolike dhe përfituan depozita për fëmijë (5 vizatimet e renditura të parat - 10.000 lekë; 5 vizatimet e renditura në vijim – 5.000 lekë).

 

Të gjithë nxënësit e shkollave të mesme u ftuan të konkurrojnë me videot e krijuara prej tyre, me temë “Kurse për ditë të vështira! Kurse për ditë më të mira!”. Në këtë konkurs  u paraqitën 14 video nga nxënës të shkollave të mesme të vendit, prej të cilave u shpallën 3 fitues. Videot e paraqitura ishin produkte individuale dhe i punës në grup. Videot më të mira u vlerësuan nga pëlqimet e marra në faqen e Facebook-ut duke i bashkuar edhe vlerësimet e Jurisë, e cila përbëhej nga përfaqësues të katër institucioneve (BSH. MAS, AAB dhe CREDINS BANK). Videot fituese u ndoqën nga të gjithë pjesëmarrësit gjatë ceremonisë. Fituesit morën dhurata simbolike dhe përfituan karta bankare të parapaguara (Vendi i parë – 50.000 lekë; Vendi i dytë – 30.000 lekë; Vendi i tretë – 20.000 lekë).

 

Në këtë konkurs, u ftuan të marrin pjesë studentë të degës financë-bankë të vitit të tretë, duke dorëzuar esenë e tyre argumentuese, në formë elektronike (pdf), në gjuhën shqipe, jo më të gjatë se 1500 fjalë. Gjithsej u paraqitën 19 ese nga universitete të ndryshme të vendit, prej të cilave u përzgjodhën 3 fitues. Juria vlerësoi punimet e tyre duke marrë për bazë një argumentim të një mendësie të re, formimi të ri dhe pavarësi gjykimi. Union Bank përveç çmimeve për autorët e 3 eseve më të mira (3 tablets), ofroi për studentët edhe praktika mësimore 3-mujore në bankë.

Konkursi u organizua në bashkëpunim me Fakultetet Ekonomike të universiteteve Tirana Business University, Universiteti Luarasi dhe Universiteti i Tiranës në ambientet e Qendrës Rinore Tiranë. Aktiviteti synonte të kuptuarit e bankingut dhe operacioneve bankare nga ana praktike. Studentët më të mirë të degës Financë-Bankë të tre universiteteve, të ndarë në tre ekipe, garuan sikur të ishin tre banka tregtare, të cilat duhet t’i paraqisnin klientit të tyre, kompanisë që ndërtonte “Hec-e”, një ofertë financiare bashkëpunimi. Të gjithë studentët u këshilluan nga përfaqësues të AAB-së, BSH-së dhe BKT-së për specifikat e rastit studimor dhe karakteristikat e konkursit. Juria shpalli fitues ekipin e TBU-së. (pjesëmarrës 85 studentë).

 

Për fëmijët e klasave të treta dhe të katërta. Shfaqja u organizua në Teatrin Eksperimental me skenografi të dedikuar, 5 aktorë si dhe lojëra në grup. Ajo u shfaq 4 herë për dy ditë radhazi dhe u ndoq nga 850 nxënës të klasave të treta dhe të katërta. (pjesëmarrës 850 nxënës).

 

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, organizoi vizitë të nxënësve të gjimnazit “Besnik Sykja”, që ndjekin modulin “Financat personale në duart tuaja” në degën kryesore të Alpha Bank. Gjatë kësaj vizite, nxënësit u njohën me mënyrën e funksionimit të bankave dhe produktet kryesore që ato ofrojnë. (pjesëmarrës 30 nxënës).

 

Në Galerinë “Fab”, nën kujdesin e piktorit Kosta Zhongo, u zhvillua ekspozita me temë “Edukimi Financiar përmes Artit”. Në këtë ekspozitë morën pjesë mbi 20 fëmijë, të cilët prezantuan punimet artistike mbi konceptet e tyre financiare si paraja, kursimi, banka etj. (pjesëmarrës 20 fëmijë)

 

125 nxënës, gjimnazistë dhe studentë vizituan Muzeun e Bankës së Shqipërisë, prej të cilëve 60 nxënës vinin nga shkolla 9-vjeçare “Dora D’istria”, 30 gjimnazistë nga gjimnazi “Sami Frashëri” dhe 35 studentë nga Universiteti Bujqësor i Kamzës. (pjesëmarrës 125 nxënës dhe studentë)

 

Junior Achievement of Albania në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, Bankën e Shqipërisë dhe sponsporizimin e Alpha Bank, organizuan Kampin e Inovacionit. Në këtë kamp morën pjesë nxënës të klasave të 11-ta të rrjetit JA nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët u grupuan në 6 ekipe për të parashtruar zgjidhje inovative për sfidën “Si t’u mundësojmë bankave rritjen e klientelës, duke përmirësuar teknikat e marketingut nëpërmjet përdorimit të teknologjisë mobile”. Në zgjidhjen e sfidës, ekipet u asistuan nga përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë, Alpha Bank, Societe Generale, Raiffeisen Bank dhe Tirana Bank. (pjesëmarrës 30 nxënës)

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një leksion të hapur me temë: “Roli i Bankës së Shqipërisë në ekonomi, ndërthurja midis nxitësit dhe rregullatorit”, për studentët e masterit në Universitetin Europian të Tiranës. Leksioni u shoqërua edhe nga një sesion pyetjesh përgjigjesh ndërmjet studentëve dhe Guvernatorit. (pjesëmarrës 120 studentë)

 

Në Universitetin Epoka në Tiranë, u mbajtën dy leksione përkatësisht nga zj. Rajna Hoxholli, Zëvendësdrejtore e Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, me temë “Roli i Bankës së Shqipërisë në ekonomi dhe politika monetare e ndjekur prej saj” dhe z. Erjon Tace, Drejtor i Departamentit të Thesarit, Banka Societe Generale, me temë “Transmetimi i politikës monetare në bankat tregtare”. (pjesëmarrës 100 studentë)

 

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, organizoi vizitë të nxënësve të gjimnazit “Qemal Stafa”, që ndjekin modulin “Financat personale në duart tuaja” në degën kryesore të Credins Bank. Gjatë kësaj vizite, nxënësit u njohën me mënyrën e funksionimit të bankave dhe produktet kryesore që ato ofrojnë. (pjesëmarrës 30 nxënës)

Në kuadër të Javës së Parasë, Intesa San Paolo Bank Albania në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave organizuan vizita për nxënësit e  8 gjimnazeve dhe studentët e 1 universiteti  në 7 degët e tyre të shpërndara në qytete të ndryshme të Shqipërisë.  Gjatë kësaj vizite, nxënësit dhe studentët vizituan ambientet e degëve të kësaj banke dhe u njohën me mënyrën e funksionimit të bankave dhe produktet kryesore që ato ofrojnë. (pjesëmarrës 250 nxënës dhe studentë) 

 

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu, zj. Vasilika Kota, zëvendësdrejtore e Departamentit të Stabilitetit Financiar në BSH, mbajti një leksion me temë: “Stabiliteti Financiar dhe fokusi i tij” dhe zj. Jola Dima, Drejtoreshë e Divizionit të Menaxhimit të Riskut, Intesa SanPaolo Bank që referoi temën “Roli i një banke sistemike për të siguruar qëndrueshmërinë në sektorin financiar”. (pjesëmarrës 90 studentë)

Në studion televizive të Ora News, u zhvillua konkursi midis nxënësve të 3 shkollave të mesme që kanë zgjedhur tekstin lëndor “Financat Personale në Duart Tuaja” gjatë vitit shkollor 2016-2017. Ekipet pjesëmarrëse përfaqësonin gjimnazet “Besnik Sykja” dhe “Qemal Stafa” në Tiranë dhe “Raqi Qirinxhi” në Korçë. Konkursi synonte vlerësimin e njohurive dhe aftësive, që nxënësit e tre gjimnazeve kanë përfituar mbi konceptet kryesore që trajton lënda. Fituese e konkursit u shpall skuadra e gjimnazit “Qemal Stafa”. (pjesëmarrës 40 nxënës). Këtu do të gjeni videon e plotë të konkursit "Financat personale në duart tuaja". 

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, u zhvillua një leksion për studentët e degës Financë-Bankë. Leksioni, që u mbajt nga zj. Elona Dushku, Përgjegjëse e Sektorit të Kërkimit Makroekonomik” në Departamentin e Kërkimeve, si dhe nga një përfaqësues i Tirana Bank, i njohu studentët me institucionin e Bankës së Shqipërisë dhe punën kërkimore të tij, si dhe me veprimtarinë e bankave tregtare për individë. (pjesëmarrës 70-80 studentë)