Programi edukues "Banka Qendrore në jetën e përditshme"

Në qershor të vitit 2007, Banka e Shqipërisë organizoi programin e parë pilot për shkollat e mesme të Tiranës, projekt i cili përfshinte: shpërndarje të broshurave edukative, prezantime të ekspertëve të Bankës për nxënësit gjatë orës së ekonomisë së zbatuar dhe seminarin e parë trajnues për mësuesit e ekonomisë të shkollave të mesme të Tiranës.

Në tetor të këtij viti,  prezantohet programi edukues "Banka Qendrore në jetën e përditshme" dedikuar fillimisht nxënësve dhe mësuesve të shkollave të mesme,  dhe  më tej studentëve të universiteteve të vendit. Qëllimi i parë i tij ishte prezantimi me Bankën e Shqipërisë si një institucion unik në jetën ekonomike të vendit.

Ndërsa më 13 dhjetor 2007 nënshkruhet Memorandum i Bashkëpunimit mes BSH-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili i kushtohet zhvillimit të aktiviteteve edukuese në fushën e edukimit financiar dhe bankingut qendror.

Programi edukues "Banka qendrore në jetën e përditshme" për studentët


Për studentët e universiteteve, programi "Banka qendrore në jetën e përditshme" ka konsistuar në aktivitet e mëposhtme:

  • Leksionet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë
  • "Dita e Bankës"

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë viziton shpesh auditoret e universiteteve brenda dhe jashtë vendit për të dhënë leksione mbi tema që lidhen me aktivitetin e saj. Në këto takime, ai u përgjigjet pyetjeve nga auditori rreth argumenteve të rëndësishme që lidhen me Bankën Qendrore, ekonominë në përgjithësi, por edhe ndan me ta momente vështirësish ose suksesesh të përjetuara gjatë vitesh përvoje profesionale. Kjo i bën leksionet e Bankës së Shqipërisë akoma dhe më të vlefshme e më interesante për studentët.

"Dita e Bankës"  përfaqëson një aktivitet, i cili u krijon mundësi studentëve të ndjekin prezantime dhe të zhvillojnë takime e biseda me specialistë të Bankës së Shqipërisë. Duke u bërë bashkëbisedues në tema rreth bankës qendrore, rolit që ajo luan në ekonominë dhe mirëqenien e një vendi; zhvillimeve të sotme në bankingun modern dhe produkteve më të fundit që ky ofron; financave personale etj., studentët marrin informacion të zgjeruar dhe të plotë nga specialistë të fushave përkatëse.

Në këtë ditë, Banka e Shqipërisë krijon minipanaire të botimeve të saj, nga raportet e ndryshme periodike, librat e konferencave dhe materialet e diskutimit, e deri tek broshurat dhe fletëpalosjet e shumta edukative.