Konferenca V e Bankës së Shqipërisë
Bankingu qendror në kohën e integrimit

DURRËS, 24 - 25 MARS 2005

Konferenca e rradhës u zhvillua në qytetin e Durrësit dhe organizatore e saj ishte vetëm Banka e Shqipërisë. Këtë radhë syhohej që në vëmendjen e të ftuarve të sillen çështje interesante që kanë të bëjnë me politikën monetare në të ashtëquajturat vende të Europës Juglindore dhe diçka më konkretisht në vendin tonë. Të ftuar në konferencë ishin përfaqësues të sistemit bankar, të rretheve akademike, të institucioneve të ndryshme financiare të huaj dhe vendas.

Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani.

Kam kënaqësinë që t'ju kem të ftuarit e mi në këtë eveniment të rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë. Besoj se kjo konferencë është një nga pikat kulmore të aktivitetit tonë vjetor dhe për këtë qëllim ndjehem mirë kur shoh në sallë shumë nga të njohurit e mi, profesorë të nderuar, ekonomistë të spikatur, qeveritarë, bankierë, si dhe përfaqësues të medias.

konferenca 24Mars2005

Vendosëm që ta titullojmë këtë konferencë "Banka Qendrore në Kohën e Integrimit", për vetë rëndësinë jetike që ky proces i vështirë paraqet për vendin tonë,por njëkohësisht edhe për shumë nga vendet e tjera të përfaqësuara në këtë aktivitet. Ne tashmë e kemi kuptuar se pa integrim financiar nuk mund të ketë integrim të vërtetë. E kuptoj se ne kemi nevojë për më shumë të ardhura, për më shumë stabilitet politik, për më shumë integrim kulturor dhe social, por sigurisht që po kaq i rëndësishëm është dhe i ashtuquajturi integrim financiar. E në këtë kontekst mendoj se roli i institucionit që unë drejtoj, roli i sistemit bankar, i sektorit financiar në një kuptim më të gjerë është shumë i rëndësishëm dhe sfidat që duhet të përballojmë në këtë drejtim janë të shumta.

Forcimi i stabilitetit financiar të vendit, rritja e efiçencës së politikës monetare dhe politikave të tjera ekonomike, zhdërvjelltësimi i tregut financiar, shtimi i mbulimit gjeografik të vendit me biznes bankar dhe rritja e ndërmjetësimit financiar janë kushte të domosdoshme për një integrim të vërtetë të vendit me pjesën e zhvilluar të kontinentit plak.

Unë mendoj se ajo cka na nevojitet ka të bëjë me marketingun e vlerave dhe të vërtetës mbi realitetin shqiptar. Shpresoj se kjo konferencë do të jetë një kontribut modest në këtë drejtim. Do të dëshiroja që bankat dhe financat të ishin në avangard në rrugën drejt integrimit.

Unë sinqerisht shpresoj se punimet e prezantuara në këtë konferencë, si dhe diskutimet e bëra nga pjesëmarrësit do të jenë një hap konkret në këtë drejtim. Për këtë qëllim besoj se kontributi i të gjithë pjesëmarrësve do të jetë i prekshëm.

Më lejoni që edhe njëherë t'i uroj punime të mbara kësaj konference.

Fjalët përshëndetëse

Foto nga Konferenca

Botime të përgatitura me rastin e Konferencës:

 

Prezantimet dhe diskutimet në Konferencë

 

Konkluzionet e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani.

Të dashur miq!
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të Konferencës së Pestë të Bankës së Shqipërisë "Banka qendrore në kohën e integrimit", me të ftuar nga vendi institucionet ndërkombëtare, personalitete të fushës akademike dhe bankare, dolën një sërë idesh dhe sugjerimesh të rëndësishme. Axhenda e ngjeshur nuk lejoi diskutimin e tyre më të hollësishëm, megjithatë shpresoj se ato do të shërbejnë si pikënisje debatesh dhe analizash të mëtejshme për të zgjidhur sfidat e bankave qendrore në këtë kohë integrimi.

Është disi e vështirë të bëhet një përmbledhje koncize e temave të shumta të prezantuara në këtë konferencë, megjithatë unë do t'i kategorizoja konkluzionet kryesore në dy grupe të gjera, në bazë të dy boshteve kryesore të bankës qendrore: atë të stabilitetit të çmimeve dhe zhvillimit e qëndrueshmërisë të sektorit financiar.

Në lidhje me boshtin e parë, atë të stabilitetit të çmimeve diskutimet u përqëndruan kryesisht në efektivitetin e politikës monetare dhe pavarësinë e bankës qendrore. Të ruash stabilitetin e çmimeve mund të jetë më e vështirë se sa ta arrish atë. Prof. Bolle në mënyrë shumë ekselente tregoi se stabiliteti aktual i çmimeve duhet të konsiderohet i brishtë, gjë që kërkon përpjekje të vazhdueshme si nga ana e BSh ashtu dhe e institucioneve të tjera. Për këtë qëllim, në diskutimin e tij Z. Ibrahimi theksoi se BSh po analizon me kujdes të gjitha rreziqet që mund të hasen në të ardhmen në mbajtjen e stabilitetit të çmimeve, duke dalë me propozimin e adoptimit të një regjimi të ri të inflacionit të synuar që mund t'i përshtatet më mirë realitetit të ri me të cilin do të ndeshet BSh dhe ekonomia shqiptare.

Megjithatë, thjesht zbatimi mekanik i këtij regjimi të ri nuk është i mjaftueshëm për stabilitetin e cmimeve. Ekzistojnë dhe një sërë kriteresh të tjera që duhen plotësuar për të rritur shansin e suksesit të këtij regjimi, pa vendosur një presion të tepruar mbi reputacionin e bankës. Shumë prej këtyre sfidave u trajtuan më hollësisht në diskutime të ndryshme të konferencës. Mes atyre më kryesoreve do të përmendja:

Çështjet e lidhura me pavarësinë e bankës qendrore, të cilat u prekën nga shumica e prezantimeve, por këtu do të veçoja ato të trajtuara në prezantimet e Z. S. Rossi, L. Papi. Në këto diskutime doli qartë roli i rëndësishëm i pavarësisë, jo vetëm për politikën monetare por sidomos për pilarin e dytë, atë të stabilitetit dhe zhvillimit të sektorit financiar.

Qartësimi i kanaleve të politikës monetare dhe rritja e efektivitetit të instrumenteve të saj është një problem tjetër i rëndësishëm që kërkon vemendje të vecantë pavarësisht nga regjimi që aktual i zbatuar. Per kete ceshtje prezantimet e Znj. M. Peeters dje, dhe e eksperiencave te vendeve të ndryshme gjatë panelit të ditës së sotme të konferencës ishin mjaft te dobishme.

Dominimi fiskal mbetet një rrezik i përhershëm për stabilitetin e çmimeve siç doli nga eksperienca e sjellë nga Z. Basçi (Turkey). Ne shpresojmë se angazhimi i Qeverisë për një vazhdim të koordinimit të mirë midis politikës monetare dhe fiskale, do të vazhdojë dhe në të ardhmen siç tha në fjalën e tij Ministri i Financave Malaj, ide që u elaborua më tej në prezantimin e zotërinjve Hida dhe Hadëri.

Dollarizimi apo FX-zimi mund të përbëjë një pengesë tjetër që rrezikon si stabilitetin financiar ashtu dhe indipendencën e politikës monetare sic argumentoi Z. Driessen. Ndaj është një problem që kërkon vëmendje.
Çfarë norme inflacioni duhet targetuar mbetet një problem i debatuar në publik, shqetësim i prezantuar në fjalën e Z. Olters. Banka e Shqipërisë po e vëzhgon nga afër këtë problem, duke bërë kujdes që ai të mos kthehet në pengesë për rritjen ekonomike.

Megjithë vështirësitë e mësipërme për kalimin drejt një regjimi të ri ashtu siç theksoi z. Mayes, e rëndësishme është të zbatohet një strategji e robust, domethene, shmangia e gabimeve të mëdha.
Stabiliteti i çmimeve siç u theksua disa herë gjatë konferencës ndihmon në rritjen ekonomike. Në anën tjetër, pilari i dytë i bankës qendrore ai i stabilitetit financiar, luan ndoshta një rol akoma më të rëndësishëm për zgjerimin ekonomik. Por siç theksoi në fjalën e tij Z. Blejer stabiliteti nuk duhet kthyer në qëllim në vetëvete. Një sektor financiar i mirërregulluar por i pazhvilluar, mund të jetë po aq i paefektshëm sa një sektor i parregulluar.
Që politikat bazë në ekonomi të jenë më të harmonizuara dhe më të efekshme, do të theksoja që si sistemi bankar ashtu dhe institucionet e tjera financiare të vendit të jenë më aktive, më të hapura dhe më të mbikëqyrura. Në fund të fundit është shumë e rëndësishme që të krijojmë një treg të vërtetë financiar ku të gjithë aktorët të njohin rregullat e lojës dhe t'iu binden atyre me ndershmëri, siç u theksua ne diskutimet e Z. Niedermayer, Z. Danielson, Z. Pencapligil dhe Z. Bundo.

Në përfundim do të theksoja që sfidat që kemi përpara në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit bëhen më të lehta kur ekziston një fryme bashkëpunimi jo vetëm brenda vendit por dhe në kuadrin rajonal dhe më gjerë.
Duke ju falënderuar për pjesëmarrjen në këtë konferencë e deklaroj atë të mbyllur.

 

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu