Raporti i Stabilitetit Financiar

Raporti i Stabilitetit Financiar

Raporti i Stabilitetit Financiar analizon zhvillimet me rëndësi të sistemit financiar dhe evidenton faktorët që përfaqësojnë rrezik sistemik.

Ky raport identifikon dhe vlerëson rreziqet me të cilat përballet sistemi financiar dhe infrastruktura e tij, për t'i dhënë autoriteteve publike mundësinë që të identifikojnë masat korrigjuese të nevojshme.

Botohet në gjuhët shqipe dhe angleze, dy herë në vit.

Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, sistemi financiar pati zhvillime pozitive. Tregjet dhe infrastruktura e tyre funksionuan normalisht. Veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme dhe vijoi të zgjerohej, pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut. Rreziqet mbetën në nivele të kontrolluara dhe qëndrueshmëria e sektorit bankar vlerësohet e mirë në kushtet e përmirësimit të ndjeshëm të rezultatit financiar dhe rritjes së niveleve të kapitalizimit. Zhvillimet ekonomike në vend ishin pozitive, ku kontributi i rritjes së të ardhurave nga shërbimet e turizmit në rritjen ekonomike ishte më i ndjeshëm. Presionet inflacioniste erdhën në rënie por norma e inflacionit mbeti mbi nivelin e synuar të Bankës së Shqipërisë. Politika fiskale ruajti prirjen e saj konsoliduese, në kushtet e performancës së mirë të të ardhurave buxhetore. Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme dhe lidhen kryesisht me zhvillimet ndërkombëtare. Mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike të përdorin këtë periudhë të favorshme në zhvillimet ekonomike e financiare në vend, për të konsoliduar arritjet dhe për të reformuar më tej ekonominë me qëllim vendosjen e saj në shinat e një zhvillimi sa më të qëndrueshëm dhe të balancuar në të ardhmen. (Versioni i formatuar do të përditësohet në një moment të dytë)