Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021

Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021
Authori: Departamenti i Stabilitetit Financiar
Data e prodhimit: 29.04.2022
Data e shtypjes: 29.04.2022
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti i Stabilitetit Financiar

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme të shpejta, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë vitit 2021 ishin mjaft pozitive, ndonëse rritja ekonomike, ulja e normës së papunësisë dhe goditjet nga krahu i ofertës, u shoqëruan me rritje të presioneve inflacioniste në fund të periudhës. Projeksionet e rishikuara pas fillimit të agresionit ushtarak në Ukrainë, sugjerojnë presione të qëndrueshme inflacioniste në afat të shkurtër, të cilat mund të shoqërohen me rritje të kostove të prodhimit, rënie të konsumit dhe të investimeve, dhe ngadalësim të rritjes ekonomike. Reagimi aktual i politikave ekonomike dhe financiare për të zbutur këtë goditje, vlerësohet në drejtimin e duhur, në kushtet kur pasiguritë rreth zhvillimeve gjeopolitike dhe situatës energjetike janë të konsiderueshme. Ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit bankar ndaj Rusisë dhe Ukrainës është i vogël dhe nuk do të ndikojë në treguesit e qëndrueshmërisë financiare të veprimtarisë, ndërsa ekspozimi i tërthortë përcaktohet nga faktorët makroekonomikë. Për sektorin bankar, mbetet aktuale rëndësia e vlerësimit të rregullt të shkallës së ekspozimit ndaj rreziqeve të reja dhe e ruajtjes së një qëndrimi proaktiv në drejtim të marrjes së masave për zbutjen dhe përballimin e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.