Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021

Raporti i Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021
Authori: Departamenti i Stabilitetit Financiar
Data e prodhimit: 23.09.2021
Data e shtypjes: 23.09.2021
Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti i Stabilitetit Financiar

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Përmirësimi i situatës shëndetësore mbështeti një rigjallërim të shpejtë të aktivitetit ekonomik. Përvoja e kësaj periudhe, tregon se përshpejtimi i procesit të vaksinimit mbetet i rëndësishëm për të zbutur pasiguritë që ecuria e pandemisë ende ruan mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe financiare. Njëherazi, këto pasiguri evidentojnë nevojën që politikat ekonomike, financiare dhe prudenciale të ruajnë elementët e fleksibilitetit për të reaguar në rast nevoje. Për sektorin bankar, mbetet aktuale rëndësia e vlerësimit të rregullt të shkallës së ekspozimit ndaj rreziqeve, dhe e ruajtjes së një qëndrimi proaktiv në drejtim të marrjes së masave për zbutjen dhe përballimin e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.