Kategoria e materialit: Publikime Periodike / Raporti Vjetor
Viti që lamë pas shënoi një vit tjetër rritjeje për ekonominë shqiptare. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se rritja ekonomike e nëntëmujorit të parë të vitit 2011 ishte rreth nivelit 2.7%, ndërkohë që tregues të tërthortë sasiorë sugjerojnë për një përshpejtim të saj në tremujorin e katërt të vitit 2011. Rritja ekonomike u mbështet nga kërkesa e huaj dhe një stimul i lehtë fiskal. Ndërkohë, konsumi dhe investimet private mbetën të dobëta, kryesisht si pasojë e pasigurisë dhe hezitimit të familjeve e bizneseve shqiptare në vendimmarrjen e tyre. Politika monetare ka qenë dhe mbetet e orientuar drejt respektimit të objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë: arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Kjo politikë ka marrë karakter gjithnjë e më stimulues, i cili pasqyron zhvillimet në ekonominë reale dhe ecurinë e pritur të inflacionit.