Konferenca IV e Bankës së Shqipërisë
Ekonomia Shqiptare: Ecuria dhe sfidat e politikave ekonomike

Sarandë, 11 - 12 shtator 2003

Njoftimi për shtyp dhe konkluzionet e Konferencës

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të Konferencës "Ekonomia Shqiptare: Arritjet dhe Sfidat e Politikës Ekonomike", organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës, u analizua ecuria e sistemit të ekonomisë së tregut, bilancit të pagesave, ekonomiksit të trazicionit dhe politikes monetare.

Konferenca solli risi jo vetëm në mënyrën e organizimit të paneleve me tema të veçanta dhe të rëndësishme të zhvillimit tranzitor të ekonomive në rajon, por edhe në propozimet konkrete për autoritetet politikbërëse e vendimmarrëse, si edhe per komunitetin e biznesit.

E konceptuar si konferencë shkencore me pjesëmarrjen e personaliteteve nga jeta akademike, institucionale dhe e biznesit bankar, konferenca ballafaqoi ide mbi reduktimin e ekonomisë informale në Shqipëri, reduktimin e deficitit të bilancit të pagesave, rritjen e efikasitetit të sektorit publik në këtë fazë të tranzicionit ekonomik dhe rritjen e efektivitetit të politikës monetare në veçanti dhe politikave ekonomike në përgjithësi me synim stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Por, ky stabilitet sipas referuesve, nuk duhet të prekë zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë në përgjithësi.

Institucionet që mbështesin ndërtimin e një ekonomie të mirëfilltë tregu kanë nevojë ende të stabilizohen. Reforma institucionale në ekonomitë e trazicionit, siç është edhe ekonomia shqiptare, ka qenë më komplekse sesa pritej. Progresi jo shumë i madh i reformës institucionale duket se ka ndikuar për një zhvillim joadekuat në disa fusha të ekonomisë, siç u diskutua në konferencë.

Sipas disa referuesve, shkalla e ekonomisë informale në Shqipëri ka kapur nivele të tilla që është bërë pengesë për zhvillimin ekonomik dhe ka ndrydhur rolin e qeverisë nëpërmjet politikës së saj fiskale. Procesi i transformimit te ekonomisë informale drejt një ekonomie formale kërkon shtimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e sidomos zbatimin e një plani edhe me të besueshëm kundër evazionit fiskal.

Nga ana tjetër qëndrueshmëria e deficitit të llogarisë korrente u trajtua në Konferencë në gjetjen e mënyrës se si mund të rritet konkurueshmëria e produkteve shqiptare në funksion të zëvendësimit të importit dhe nxitjes së eksportit.

Konferenca vlerësoi procesin e integrimit por diskutoi nivelin e reformave ekonomike dhe institucionale dhe sfidat që i presin ato e në mënyrë të veçantë problemet me të drejtën e pronësisë, zhvillimin e sektorit privat si dhe të atij financiar.

Diskutimet për tregjet në zhvillim u paraqitën si angazhim kryesor për ekonominë shqiptare dhe ekonomitë e tjera në fazën e tranzicionit dhe theksuan domosdoshmërinë e konsolidimit të institucioneve. Kjo nuk do të thotë që politikat ekonomike e në mënyrë të veçantë politika monetare dhe zhvillimi i tregjeve financiare, nuk janë po aq të rëndësishme sa kjo fazë e trazicionit.

Pas arritjes së stabilitetit makroekonomik në Shqipëri, është përmirësuar klima për rritjen e eficensës dhe rolit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, shumë vende në tranzicion kanë hasur vështirësi në arritjen e stabilitetit makroekonomik.

Konferenca u nderua me pjesëmarrjen e z.Kemal Dervis, antar i Parlamentit turk, i cili në përshëndetjen e rastit vlerësoi rëndësinë që kanë specifikat jo vetëm ekonomike por dhe sociale të ekonomive në tranzicion në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike, sidomos nga institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Nga ana e tij, z.Hossein Samiei, Shef i Divizionit Financiar në Departamentin I-rë Evropian I FMN-së, theksoi se kohët e fundit Banka e Shqipërisë ka filluar të zbatojë një politikë më sistematike monetare bazuar në ndryshimet e normave të interesit në bazë të sinjaleve që merr nga zhvillimet e inflacionit dhe të ekonomisë reale.

Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore edhe për Shqipërinë, Franco Passacantando u fokusua në përmirësimin e klimës për aktivitetin privat në Shqipëri. Sipas tij biznesi dhe klima e investimeve janë çelësi për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ulje të varfërisë. Sipas z.Passacantando për klimën për biznes janë të nevojshëm si stabiliteti makroekonomik ashtu edhe ai politik ndërsa duhen reduktuar burokracitë shtetërore që i shkaktojnë kosto aktivitetit privat dhe frenojnë investimet vendase dhe të huaja.

Gjatë punimeve të konferencës, ishin të pranishëm referuan dhe diskutuan përfaqësues të lartë të bankave qendrore të rajonit si nga Banka Qendrore e Turqisë, Banka qendrore e Greqisë, Banka Kombëtare e Kroacisë dhe Banka Kombëtare e Bosnje-Hercegovinës.

Më konkretisht konferenca arriti në disa konkluzione kryesore:

Se pari, filozofia dhe politika ekonomike duhet të shikojë nga bashkëpunimi mes qeverisë dhe tregjeve si plotësues të njëri-tjetrit, duke e bërë të qartë ndërkohë se tregjet janë thelbi i ekonomisë dhe kjo deri diku kufizon rolin e qeverisë.

Së dyti, shteti duhet të ketë një rol të rëndësishëm në krijimin dhe mbajtjen e rritjes ekonomike. Tashmë ka ardhur koha të kuptohet drejt roli i sektorit publik, në mënyrë të veçantë në periudhat e depresionit ekonomik.

Së treti, klima për biznes në Shqipëri ka nevojë për masa shtesë që do të promovonin eksportet dhe investimet e huaja direkte, të cilat janë kthyer në domosdoshmëri për mbajtjen e ekuilibrit të jashtëm dhe një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Se katërti, autoritetet dhe komuniteti i biznesit duhet të angazhohet për respektimin e rregullave të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme dhe zbatimit e rregullave ligjore. Biznesmenët duhet të rrisin transparencën e aktivitetit të tyre dhe duhet të drejtkuptojnë se partneriteti me autoritetet shtetërore është "çelësi" për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat po përballet ekonomia shqiptare.

Së pesti, Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë zhvillimin e kapaciteteve në analizat e zhvillimit ekonomik në funksion të mbajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar duke nxitur zhvillimin ekonomik.

Së gjashti, sistemi financiar, si "zemra" e ekonomisë së tregut kërkon një vëmendje të veçantë në funksion të vazhdimësisë së rritjes së mëtejshme të nivelit të kreditimit, aq i nevojshëm për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Fjala e hapjes së Konferencës së Katërt

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Jam shumë i lumtur që përshëndes të pranishmit e nderuar të kësaj salle, miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, ata që vazhdimisht kanë kontribuar në foltoret e konferencave tona të përvitshme dhe të ata që janë për herë të parë në auditorin e sivjetshëm.

Kam kënaqësi të veçantë, që në emër të organizatorëve të konferencës "Ekonomia shqiptare, arritje dhe sfida të politikës ekonomike", të shpreh falenderim dhe respekt për miqtë e mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të pranishëm sot në këtë sallë, që kanë dhënë kontribute dhe kanë lënë gjurmë në përparimin e ekonomisë tonë.

Shpresoj që takime të tilla të shërbejnë edhe si gjeste publike që flasin në gjuhën e mirënjohjes për këto kontribute që në njëfarë mënyre kanë ndihmuar Bankën e Shqipërisë të ndërmarrë organizime të mendimit shkencor për çështje që stresojnë ekonominë shqiptare.

Të nderuar kolegë dhe bashkëpunëtorë,

Shqipëria, në këta 13 vjet, ka ecur në rrugën e përparimit. Ekonomia tashmë, përfundimisht është orientuar drejt zhvillimit. Ne të gjithë, si autorë dhe përjetues të kohës sonë, jemi të prirur drejt më të mirës, drejt të ardhmes.

Të jetosh në një shoqëri, që përpiqet të ndërtojë një të ardhme më të sigurtë; të kesh institucione, që tentojnë modele të përparuara; të krijosh një mendësi popullore demokratike të orientuar nga një rezultante pozitive e llojshmërisë së ideve; është një sukses për vendin dhe për ekonominë.

Në anën tjetër, shoqëria, shteti dhe mendësia shqiptare kanë evoluar, përgjithësisht, në mënyrë të njëkohshme. Kjo është ndoshta e lidhur me traditën tonë të hershme; ndoshta e imponuar nga vështirësia e mbijetesës nëpër vite; ndoshta lidhet me dëshirën e madhe për ta parë vendin dhe veten midis më të zhvilluarve.

Por, një gjë është e sigurtë, që kjo ecje e përgjithshme përpara, mbështet dhe mbështetet në një ekonomi që zhvillohet. Se sa është rritur ekonomia shqiptare dhe në ç'mënyrë; në ç'drejtime ka lëvizur dhe sa herë ka ngecur; këto nuk janë objekt i kësaj fjale. Ajo që dua të theksoj është që në fund të fundit ekonomia ka shënuar rritje të prekshme nga të gjithë. Kjo rritje bëhet mbështetje e projekteve dhe e sfidave tona të ardhme. Kjo rritje ushqen besimin se të gjithë ne po përpiqemi për t'i dhënë vetes dhe vendit çka më të mirë zhvillimi i sotëm ofron dhe se ne realisht meritojmë më shumë.

Njeriu duhet të luftojë shumë për të fituar gjithnjë e më shumë; duhet që atë që ka fituar ta përdorë mirë dhe pastaj, në fund, të ketë zemërgjerësinë dhe t'u lërë diçka të tjerëve që vijnë pas. Kështu krijohet vazhdimësia e zhvillimit.

Tashmë i kemi hedhur themelet e një zhvillimi të përgjithshëm ekonomik. Që ky zhvillim do të jetë i shpejtë apo i ngadalshëm; i sigurtë apo i brishtë; i qetë apo i ngarkuar me të papritura është edhe përtej kësaj konference. Rëndësi ka që ne i kemi projektuar ekonomisë një të ardhme ambicioze.

Realizimi i saj kërkon shumë përpjekje; kërkon mendim të qartë ekonomik; kërkon vendimmarrje të guximshme; kërkon vizion të gjerë në trajtimin e problemeve dhe strategji reale të zhvillimit ekonomik. Këtu shpresoj të shpreh më shumë kjo konferencë.

Të dashur miq,

Jemi mbledhur në këtë sallë të flasim për një argument që nuk është i panjohur për secilin prej nesh. Ajo që do të themi, mënyra se si do ta shohim të ardhmen e problemeve tona dhe mundësitë reale të ecjes së mëtejshme përpara, jam i bindur që do të jenë të dobishme.

Ne dhe bashkëorganizatorët tanë të Fakultetit Ekonomik, të Universitetit të Tiranës, kemi bërë përpjekjet tona më të mira për të arritur këtë.

Edhe për këtë arsye, kam dëshirë që kjo Konferencë të vazhdojë t'i shërbejë bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët ekonomik.

Në mbyllje të fjalës time, duke shpresuar të kem përcjellë gjithë falenderimin tim për praninë tuaj në sallë, i uroj kësaj konference punë të mbarë; folësve të nderuar suksese; dhe të gjithëve së bashku një qëndrim të këndshëm në qytetin e bukur të Sarandës.

Ju faleminderit!

Shkëlqim Cani
Guvernator i Bankës së Shqipërisë


Fjalë përshëndetëse në Konferencë

Faleminderit shumë z. Guvernator, z. Ministër,
Të dashur miq, të dashur kolegë!

Është një kënaqësi e veçantë që ndodhem përsëri midis jush. Kanë kaluar 8 vjet që nga vizita ime e fundit në Shqipëri, kur isha përgjegjës për Departamentin e Evropës Lindore dhe të Ballkanit në Bankën Botërore. Kam mbajtur një kalendar të vogël dhe në tre vjet ( '92 - '95 ) kam ardhur 28 herë në Shqipëri, pra Shqipëria ka qenë si një shtëpi e dytë për mua. Më pas ndodhën ngjarje të ndryshme, krizat e thella që pësoi Turqia; dhe ndërsa mendoja shumë shpesh për Shqipërinë dhe për zhvillimet e saj, për miqtë e mi këtu, nuk kisha mundësi të vija. Faleminderit shumë që më ftuat, faleminderit që më dhatë mundësinë të jem bashkë më ju përsëri në Shqipëri.
Kam dëshirë të filloj me një ngjarje të shkurtër; sidomos pas kësaj dreke të këndshme është mirë të fillojmë me një histori; për të cilën më frymëzoi dhe profesor Mema, kur folëm për mentalitetet dhe për veçantitë që ka çdo vend në lidhje më të. Siç e dini unë jam turk, por kam jetuar për një kohë të gjatë jashtë Turqisë prandaj do t'ju tregoj një ngjarje të shkurtër rreth reformave ekonomike kur isha ministër. Ka të bëjë pak me mentalitetet dhe mendoj që të dyja vendet tona, dhe turqit dhe shqiptarët kanë të përbashkët një karakter të fortë, pra nuk rrëzohemi lehtë dhe duam që të mbizotërojë vullneti ynë. Pra, në Turqi një nga reformat që donim të realizonim ishte liberalizimi i Industrisë Aeronautike Turke. Turkish Airline është një linjë ajrore e rëndësishme por kishte vetëm humbje, dhe një arsye e këtyre humbjeve ishin çmimet e ulta që vendoste Ministria e Transportit. Pra, për ne ishte e rëndësishme të arrinim që kjo kompani e madhe të bëhej fitimprurëse dhe ajo që doja të realizoja ishte liberalizimi i çmimeve ndërkohë që Ministri i Transportit nuk kishte ndërmend të bashkëpunonte për këtë gjë. Ai vendoste për çmimet dhe për oraret e ulje - ngritjeve të avionëve gjë që është shumë normale, sepse nuk mund të lihen avionët të ulen dhe të ngrihen kur të duan. Kështu, unë përgatita ligjin për liberalizimin e çmimeve, e dërgova në kryeministri dhe pas ca kohësh më erdhi një telefonatë nga një kolegu im, i cili po përpiqej të më ndihmonte. Ai më tha: le të bëjmë një ndryshim, pse të mos i shtojmë liberalizimit të çmimeve edhe liberalizimin e orareve të nisjes dhe të uljes se avionëve. Unë mendova që ishte një çmenduri, që të gjithë do të mendonin që isha i çmendur! Ai më tha shkruaje dhe ki besim tek unë! Pranova por nuk kisha ndërmend ta nënshkruaja zyrtarisht sepse ishte një çmenduri. Ai më kërkoi që të dërgoja vetëm memon me emrin tim. Kështu kolegu im e çoi tek ministri i transportit dhe i tha: Shiko sa "budalla" është Dervishi kërkon të liberalizojë oraret e avionëve kështu që merr lapsin e kuq dhe vëri kryq përsipër, dhe meqë kemi probleme me çmimet lëre ta bëjë këtë tjetrën.

Kështu pra, të dyja palët realizuam atë që donim pa dominancën e asnjërit.

Sot unë dua të ndaj me ju disa mësime të rëndësishme, të cilat i kam mësuar gjatë punës time në Bankën Botërore, si ministër, si profesor universiteti, si ekonomist etj.. Unë do të flas për disa prej tyre të cilat më duken më të rëndësishme.

Pika e parë ku dua të ndalem, është njohja e konceptit "zhvillim" si një proces i vërtetë integrimi. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ekonominë, por dhe për politikën, për qeverinë, për sistemet sociale, pra është një e tërë dhe duhet parë si e tillë. Shqyrtimi i vetëm në aspektin ekonomik çon në gabime. Me këtë nuk dua të them që ekonomia nuk është e rëndësishme, përkundrazi ajo është shumë e rëndësishme sidomos strukturat makroekonomike. Ne të gjithë kemi njohuri për politikën monetare dhe për politikën fiskale. Sot në mëngjes kishim prezantime të shkëlqyera, dhe sigurisht që ne duhet të jemi ekonomistë teknikë të mirë, por për të arritur suksesin mendoj se kemi nevojë për sociologë, për historianë, për psikologë, për shkencëtarë sociologë dhe sigurisht ajo që kemi më shumë nevojë është një proces i mirë politik. Pra, ajo që historia na mëson është se nuk mjafton të jesh një ekonomist i mirë. Mendoj se ndryshe nuk do ta arrijmë suksesin që kërkojmë.

Pika e dytë ku dua të ndalem bën fjalë për ekonomitë e tranzicionit. Oskar Lange, ka qenë një ekonomist marksist shumë i njohur, i cili jepte dhe mësim gjatë luftës në universitetin e Chicagos, për të cilin shumë nga ju duhet të kenë dëgjuar. Bëhet fjalë për një koncept të gabuar mes marksistëve në vitet '30, '40, '50 dhe për një artikull shumë interesant për kompiuterat dhe për tregun që u botua rreth viteve '50. Në një debat të vjetër për tregjet dhe për planifikimin, Oskar Lange tha: "tani ne kemi kompiuterat, pra harrojini tregjet, ne mund të shkruajmë programe kompiuterash, mijëra ekuacione dhe kështu ne do të planifikojmë në mënyrë të saktë një ekonomi socialiste". Ai ishte një njeri shumë inteligjent, por arsyetimi ishte i gabuar. Sigurisht ky lloj planifikimi sasior që ishte shumë i vjetër, shumë burokratik nuk mund të funksiononte. Por, ekstremi i kundërt me këtë, që është hasur në shumë vende, është që nuk ka fare strategji planifikimi. Ka shumë pak plane afatgjata dhe të plota dhe në fakt ajo që ndodh në këto vende është që buxheti vjetor është bërë struktura e vetme ekonomike. Unë mendoj që kjo gjë është e gabuar. Mendoj se një strategji planifikuese ka nevojë jo vetëm për struktura ekonomike por edhe për një plan të tërë social, të shikojë emigracionin, shpërndarjen e të ardhurave, burimet, arsimin, shëndetësinë etj.. Kjo mund të ndihmojë në shmangien e krizave që kemi parë në shumë vende.

Mendoj se në një mënyrë apo në një tjetër ne duhet të ribalancojmë; mos më keqkuptoni unë nuk jam duke mbrojtur kthimin e planifikimit të stilit të vjetër burokratik; por besoj se një pjesë e buxhetit vjetor të Ministrisë së Financave mund të jetë një strukturë serioze shumëvjeçare. Duhet të shikohet në mënyrë më serioze. Do të thoja që dhe në kontekstin institucional, në ministri nevojitet një plan strategjik afatgjatë. Tregjet shpesh janë miope, afatshkurtra dhe prandaj bëhen gabime. Pikërisht për këtë kërkohet bashkëpunim dhe mendoj se keni nevojë për këtë.

Pika e tretë ku dua të ndalem është rëndësia vendimtare e sektorit financiar. Ky është një mësim që e kemi mësuar të gjithë tashmë, por jo sa duhet në nivel ndërkombëtar. Mendoj se e njëjta vëmendje që i jepet sektorit financiar në nivel kombëtar duhet t'i jepet dhe të zhvillohet edhe në nivelin ndërkombëtar. Mendoj se Shqipëria akoma nuk ka eksperiencë të mjaftueshme në flukset afatshkurtra të kapitalit. Tregu valutor që keni ju në Shqipëri ndoshta përbëhet nga remitancat. Ju nuk keni akoma dikë në Citibank ose në Deutche Bank që të thotë " ok, sot do të blej bono thesari në Shqipëri". Ky është ndoshta një bekim, sepse ditën që bankat ndërkombëtare sulmuan lirën turke më 19 shkurt, Citibank fitoi 1 milion dollarë, në një ditë, për 24 orë. Ok, biznesi i tyre konsiston në fitimin e parave, por si mund t'ia shpiegojmë këtë punëtorit turk që humbi punën e tij nga kjo përmbysje. Pra, ky lloj volatiliteti i tepruar në flukset e kapitalit dhe sulmet e tepruara ndaj parasë janë elemente të vështira. Unë nuk kam ndonjë zgjidhje magjike për këtë, por besoj se duhet pak kontroll në këtë fushë. Unë e mbështes punën e FMN-së në ristrukturimin e mekanizmave në sistemin ndërkombëtar financiar. Varfëria dhe shpërndarja e të ardhurave përbëjnë një pikë tjetër të rëndësishme. Po të shihni se çfarë ndodh me shpërndarjen e të ardhurave dhe me varfërinë në kohë krize, do të vini re se të varfrit marrin goditjen më të rëndë, të pasurit në njëfarë mënyre e superojnë.

Detyra e parë e një politikëbërësi është shmangia e krizave të thella financiare në vend, dhe detyra e parë e organizatave ndërkombëtare është ndërtimi i një sistemi ndërkombëtar sa më efikas.

Tani dua të them dy fjalë për FMN-në, për institucionet e Bankës Botërore dhe për lidhjet e tyre me vendet. Kam punuar 20 vjet në Bankën Botërore. Ishte një periudhë gjatë së cilës kam mësuar shumë dhe mendoj se kemi bërë punë të vlefshme në Shqipëri dhe në vende të tjera. Mendoj se bota ka nevojë për këto institucione. Po ashtu besoj se është shumë e rëndësishme që programet ekonomike lindin nga lidhjet ndërmjet analistëve të unioneve të lira, të institucioneve të FMN-së, të Bankës Botërore, të qeverisë lokale, të burokracisë, të analistëve të ndryshëm, të shoqërisë civile etj.. Kjo lidhje mendoj se është absolutisht e nevojshme për të pasur një politikë sa më të efektshme, sepse dhe analistët më të mirë nga jashtë nuk mund të kuptojnë plotësisht të gjitha hollësitë e një sistemi vendas dhe mendoj se kjo mund të arrihet vetëm me anë bisedash e bashkëpunimesh. Besoj se FMN-ja dhe Banka Botërore po përpiqen ta realizojnë një gjë të tillë, por nevojitet më shumë bashkëpunim në këtë drejtim. Ekzistojnë disa rreziqe në praktikat administruese. Dua të them, pse është kaq e vështirë për të pasur një periudhë të planifikuar; për shembull, kur emërohet një rezident përfaqësues i Bankës Botërore ose i FMN-së; ndërkohë që përfaqësuesi rezident i mëparshëm është akoma aty. I riu që është emëruar punon së bashku më atë që do të largohet për një periudhe prej 6 - 9 muajsh. Ndërkohë, mendoj që procedurat vetiake planifikuese të institucioneve vendase janë joefikase. Ajo që dua të them është se nuk ka mjaftueshëm planifikim ndërkombëtar në mënyrën se si administrohet e gjitha kjo si e tërë dhe mendoj se vendi vuan nga kjo. Një përfaqësues i mirë mëson shumë shpejt, por emërimi i dikujt pa eksperiencën specifike të atij vendi ku merr detyrën, dhe largimi i atij që e ka këtë eksperiencë pa arritur ballafaqimin e të dyve nuk është një praktikë e mirë administruese. Pra, mendoj se ka akoma gjëra që mund të arrihen, hapa praktikë, për përmirësimin e marrje-dhënies ndërmjet institucioneve ndërkombëtare dhe atyre vendase që mund të jetë Shqipëria, Turqia, Meksika, Argjentina ose një vend tjetër çfarëdo.

Në fund, doja të flisja dhe për një argument tjetër. Disa probleme nuk kanë zgjidhje në nivel kombëtar. Dua të them që disa probleme që hasen në vendet në zhvillim, duhet të gjejnë zgjidhje në nivel ndërkombëtar. Do t'ju jap një shembull kur unë kandidoja për në parlament. Fermerët turq prodhojnë pambuk të mirë, me cilësi të lartë dhe me një kosto të pranueshme. Problemi është se, ashtu si shumë nga ju mund ta dinë, SHBA u ofron subvencione të larta fermerëve të saj të pambukut. Pra, çfarë mund të bëjmë ne; ne kemi probleme buxheti, probleme borxhi dhe nuk ka asnjë mënyrë sipas të cilës Turqia apo Shqipëria ose dhe Brazili, të mund të subvencionojnë prodhimin vendas të pambukut si SHBA. Pra çfarë mund të bëjmë? Të vendosim tarifa për pambukun? Nëse bëjmë këtë atëherë pambuku vendas bëhet më i shtrenjtë sesa pambuku jashtë dhe këtë do ta vuanin prodhuesit e tekstilit. Pra, ne nuk kemi rrugë tjetër vetëm të shohim fermerin e pambukut të falimentojë ngadalë dhe të zhduket dhe kjo, sepse SHBA u ofron këto subvencione të larta fermerëve të vet. Ky nuk është një problem që mund ta zgjidhë një politikëbërës në Turqi. Kjo është diçka që mund të zgjidhet vetëm në nivel ndërkombëtar. Kjo është diçka që kërkon shumë kohë. Ata që predikojnë teoritë e tregtisë së lirë, nuk i zbatojnë, ata dinë të nxjerrin në fund një faturë, si ajo që qarkulloi Administrata Amerikane para pak muajsh dhe që nuk është as për fermerin e varfër por subvencionon fermerin e pasur. Pra, subvencionet nuk synojnë fermerin e varfër por të pasurin dhe një gjë e tillë u shkakton dëme shumë të mëdha fermerëve të varfër në vendet në zhvillim, në Afrikë, në Evropën Lindore, në Amerikën Latine etj.. Për të tilla probleme duhet të luftojmë në nivel ndërkombëtar dhe e vetmja mënyrë më anë të së cilës mund të kemi sukses është bashkimi i vendeve kryesore më anë të negociatave. Këto janë probleme të rëndësishme dhe nuk është e vërtetë që të gjitha gabimet e bëra dhe kosto që njerëzit e vendeve në zhvillim duhet të suportojnë, e kanë burimin në vendet e tyre. Disa prej tyre burojnë nga Washingtoni, nga Brazili, nga Tokio etj.. Mendoj se FMN-ja, Banka Botërore duhet të ndihmojnë në këtë drejtim, që në fakt po ndihmojnë dhe ne duhet të jemi mirënjohës për këtë.
Tani në fund, dua të them dy fjalë për Shqipërinë. Nuk kam parë shumë, por shpresoj të shoh nesër kur të kthehemi për në Tiranë. Mendoj se ka pasur një progres të jashtëzakonshëm. 8 vjet nuk janë shumë dhe unë mund të shoh se sa shumë ndryshime ka. Nëse nuk do të ishin krizat e viteve '96 - '97 të ardhurat për frymë ndoshta do të ishin 500 usd më të larta. Kjo tregon se sa e rëndësishme është shmangia e krizave. Shumë vende i kanë kaluar këto, njerëzit mësojnë dhe nganjëherë krizat kanë dhe anë të mira. Gjithmonë kam qenë dhe jam shumë optimist, shoh shumë progres. Nëse të gjithë kontribuojnë do të jeni krenarë për arritjet. Besoj se me ndihmën e miqve tanë evropianë, të dyja dhe Shqipëria dhe Turqia do të pranohen në Bashkimin Evropian më shpejt sesa mund të mendohet. Kjo do t'i japë fund procesit të tranzicionit dhe Evropa do të jetë më e madhe dhe më e fortë. Nëse kjo konferencë do të mbahej përsëri pas 8 vjetësh, nuk mund të them se do të jeni në Bashkimin Evropian, por mendoj se do të jeni shumë afër. Turqit dhe shqiptarët do të ndihmojnë njëri-tjetrin në rrugën drejt zhvillimit të Evropës Juglindore.

Shumë, shumë faleminderit dhe jam shumë i lumtur që jam këtu.

Kemal Derviš
Anëtar i Parlamentit të Republikës së Turqisë


Botime të përgatitura me rastin e Konferencës :


Prezantimet dhe diskutimet në Konferencë :