Trajnime për subjektet e licencuara
Banka e Shqipërisë zhvillon vazhdimisht trajnime për subjektet që ajo licencon e mbikëqyr me qëllim ndërgjegjësimin mbi çështje të lidhura me aktivitetin e tyre të përditshëm operacional dhe funksional dhe masat parandaluese kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Trajnim me ZKV dhe SFJB për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit
Në datat 20 - 21 qershor 2016, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave organizoi trajnimin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, me pjesëmarrjen e 32 zyrave të këmbimit valutor (ZKV) dhe 22 subjekteve financiare jobanka (SFJB).
Ky trajnim u organizua në kuadër të detyrimeve të ligjit 9917/2008 "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit", i ndryshuar. Trajnimi synonte ndërgjegjësimin e zyrave të këmbimit valutor dhe subjekteve financiare jobanka mbi detyrimet ligjore e rregullative për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke ofruar edhe shembuj praktikë mbi procedurat dhe masat përkatëse.
E veçanta e këtij trajnimi ishin prezantimet e subjekteve përfaqësuese, duke sjellë praktikën e tyre konkrete lidhur me masat parandaluese në këtë fushë. Më konkretisht, ditën e parë prezantimi u mbajt nga një zyrë këmbimi valutor, një ndër zyrat më të mëdha dhe më me eksperiencë në tregun e këmbimit valutor, ndërsa ditën e dytë nga një subjekti financiar jobankë në fushën e transferimit të parave.