Materiale studimore

Materiale studimore

Materialet studimore përfshijnë studime, analiza kërkimore mbi çështje të ndryshme, të cilat prekin aspekte teorike dhe praktike me rëndësi për zhvillimet ekonomike, për jetën aktuale financiare të vendit dhe pritjeve për zhvillim.

Ato përgatiten nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë, pikëpamjet e të cilëve nuk janë domosdoshmërisht ato të Bankës së Shqipërisë.

Materialet studimore

Investimi i huaj direkt në vendet në zhvillim të Evropës Lindore: Rasti i Shqipërisë
Autor: Endrita Xhaferaj
Ky studim analizon zhvillimin dhe shpëndarjen e investimit të huaj direkt në vendet e Evropës Juglindore krahasuar me ato të Evropës Qendrore, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në rastin e Shqipërisë. Investimet e huaja konsiderohen të kenë luajtur

Një vlerësim i zëvendësimit të monedhës në ekonominë shqiptare
Autor: Elvira Sojli
Në këtë studim ne ndërtojmë një metodologji për të matur zëvendësimin e monedhës në ekonominë shqiptare, duke përdorur depozitat në valutë të huaj dhe një vlerësim të parasë së huaj në qarkullim. Nga rezultatet e përftuara vërejmë një prirje rritëse të zëvendësimit të monedhës gjatë periudhës 1998-2002 dhe arritjen e një niveli maksimal prej 36 për qind.

Kursi real efektiv i këmbimit në Shqipëri - konceptet dhe matja e tij
Autor: Ilir Vika
Kursi real efektiv i këmbimit (REER) është vlera e jashtme e monedhës së një vendi kundrejt monedhave të partnerëve të tij më të rëndësishëm, dhe është treguesi më i përdorur për matjen e konkurrencës në tregtinë ndërkombëtare. Qëllimi i këtij studimi është matja e kursit real dhe efektiv të këmbimit të monedhës shqiptare, lekut. Në fillim do të prezantojmë disa nga propozimet kryesore lidhur me përkufizimin e drejtë të kursit real të këmbimit. Pas diskutimit mbi avantazhet dhe disavantazhet që mbart secila mënyrë llogaritje e REER, do të mundohemi të ndërtojmë seritë e kursit real efektiv të këmbimit në Shqipëri, për të parë tendencën vlerësuese apo zhvlerësuese në terma realë të lekut dhe se sa i luhatshëm ka qenë ai.

Parashikimi i Bilancit të Pagesave
Autor: Elvira Sojli, Diana Shtylla
Në mënyrë që një shtet të mundet të mbulojë ripagimin e borxhit të jashtëm, janë të nevojshme suficite në bilancin e pagesave. Ky studim përqendrohet në ndërtimin e modeleve ekonometrike strukturore dhe jostrukturore, për të gjithë zërat e bilancit të pagesave. Nga projeksionet e kryera rezulton se fluksi i deritanishëm i financimeve të deficitit korrent mund të jetë i pamjaftueshëm për ta mbuluar këtë deficit dhe nevojiten prurje më të mëdha kapitale dhe financiare.

Inflacioni bazë: matja dhe lidhja e tij me agregatët monetarë
Autor: Evelina Çeliku
Në këtë material bëhet një parashtrim i disa kritereve teorike dhe praktike, ekonomike dhe statistikore, mbi efektshmërinë e matjes dhe të përdorimit të inflacionit bazë nga bankat qendrore dhe në veçanti nga Banka e Shqipërisë, sugjerohet metoda optimale e llogaritjes së tij në rastin tonë. Konkludohet se metoda e mesatareve të trimuara është ajo që na ofron matjen më të përshtatshme. Duke shkuar më tej, studimi teston këtë matje edhe me anë të lidhjes së inflacionit bazë me agregatët monetarë, duke hedhur bazat e parashikimit të tij në një të ardhme të afërt.

Transparenca e Bankës së Shqipërisë
Autor: Sofika Note
Transparenca është bërë një nga shtyllat institucionale më të rëndësishëm të politikës monetare, së cilës Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një vëmendje gjithmonë në rritje. Ky material synon të japë një matje sasiore të transparencës së Bankës së Shqipërisë, duke e krahasuar atë me bankat qendrore të vendeve të zhvilluara. Gjithashtu, materiali ofron edhe një përpjekje për të vlerësuar dimensionin real të transparencës, shkallën e të kuptuarit të publikut.

A është kërkesa për para në Shqipëri e qëndrueshme? Një vështrim alternativ, prill 2004
Autor: Manjola Tase, Bank of Albania
Qëndrueshmëria e kërkesës për para është një nga faktorët themelorë ku bazohet zgjedhja e regjimit të shënjestrimit monetar. Ky regjim zbatohet aktualisht nga Banka e Shqipërisë. Në bazë të tij qëndron projektimi i ritmit të rritjes së ofertës së parasë, me qëllim arritjen e objektivit në lidhje me nivelin e çmimeve. Parashikimi i këtij ritmi mbështetet në kërkesën për para, në mënyrë që të mos gjendemi përballë situatave që çojnë në përshpejtim të inflacionit apo e kundërta. Në këtë kuadër, studimi i shkallës së qëndrueshmërisë së kërkesës për para dhe i perspektivave të ndryshimit të këtij variabli merr rëndësi të veçantë.

Ndikimi i qëndrueshmërisë së situatës makroekonomike në nivelin e kredive me probleme
Autor: Evelina Çeliku, Erjon Luçi
Ky punim synon të analizojë lidhjen që ekziston midis situatës makroekonomike dhe disa faktorëve të tjerë dhe kredive me probleme në vendet e tranzicionit dhe në rastin e Shqipërisë. Nga kjo analizë del se efekti i situatës makroekonomike luan një rol të rëndësishëm në Shqipëri për nivelin e kredive me probleme. Ndërkohë që eksperienca e vendeve në tranzicion sugjeron se përmirësimi i ligjit është një faktor tjetër i rëndësishëm në reduktimin e kredive me probleme.

Formulimi i një teorie për ndërmjetësimin financiar në tranzicion
Autor: Erjon Luçi
Në këtë punim propozohet një teori alternative ndaj asaj trandicionale për ndërmjetësimin financiar bazuar në literaturën e racionimit të kredisë, e cila gjykohet më e përshtatshme në rastin e vendeve në tranzicion. Një prej implikimeve kryesore të kësaj teorie është se koordinimi i reformave të ndryshme, sidomos i atyre institucionale, është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e shpejtë të ndërmjetësimit financiar në vendet në tranzicion.

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë dhe zbatimi i tij në praktikë
Autor: Teuta Baleta
Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” njeh si objektiv kryesor: “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”. Përcaktimi në legjislacion i këtij objektivi shërben si bazë për pavarësinë bankës qendrore. Nga ana tjetër, kjo pavarësi konsolidohet nëse banka qendrore vepron me përgjegjshmëri dhe me transparencë në arritjen e objektivit.
101 - 110 nga 125
Faqe 11 nga 13